BDI: Kulturës shqiptare po i mbyllet dera nga institucionet shtetërore

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Kulturës, duke e cilësuar përjashtimin e shqiptarëve nga avancimet institucionale si “diskriminim i qëllimshëm dhe sistematik”.

Nga BDI thonë se nga 12 avancime të fundit të bëra brenda kësaj ministrie, vetëm një pozitë i është dhënë një shqiptari, dhe ajo në një nivel të dytë të renditjes hierarkike.

“Ky bilanc është tregues i qartë i një politike të vetëdijshme për të marginalizuar përfaqësimin kulturor të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratë.

Sipas BDI-së, për më shumë se një vit nuk është bërë asnjë punësim i ri në institucionet kulturore që drejtohen nga shqiptarët, ndërsa ansamblet dhe institucionet kulturore shqiptare ndodhen në gjendje të rëndë, pa investime dhe pa mbështetje. Veçanërisht përmendet Ansambli Muzikor, i cili, sipas partisë, është lënë në harresë dhe pa perspektivë.

BDI fajëson jo vetëm Ministrinë e Kulturës, por edhe pjesëtarët e koalicionit qeverisës nga VLEN, duke i akuzuar për dështim në mbrojtjen e interesave kulturore të shqiptarëve dhe për tolerim të një diskriminimi të strukturuar.

“BDI do ta ngrejë këtë çështje në çdo nivel institucional dhe ndërkombëtar, për të ndalur këtë degradim të qëllimshëm ndaj trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, thuhet më tej në deklaratë, duke bërë thirrje për një reagim të gjerë nga opinioni publik, artistët dhe intelektualët shqiptarë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme