Është mbajtur në Tiranë kongresi i dytë kombëtar mbi nutricionin, shkencën që studion përbërjen, funksionin dhe efektin e ushqimeve në trupin e njeriut, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Nutricionit. Mjekë dhe politikëbërës, u bashkuan për të përcaktuar detyrat e përparësistë për vitin e ardhshëm, në drejtim të hapave konkretë.
“Për ne ka rëndësi që nutricioni të marrë peshë si në mënyrë shkencore- si në anën aplikative duke qenë se e shoqëron njeriun që nga lindja, e deri në cilësinë e jetës dhe në shoqërimin gjatë patologjive te ndryshme” tha Prof. Dorina Ylli, endokrinologe.
Duke e parë nutricionin si një temë shumë të rëndësishme për shëndetin, ata u ndalën te nismat që duhen ndërmarrë.
“Duam të japim të dhëna më të mira, sepse çdo gjë që ne konsumojmë, ushqimet apo edhe mishi, për fat të keq kanë gjithnjë e më shumë toksina e aditivë ndaj fakti që hamë këto ushqime na çon drejt patologjive, dhe këtë duhet ta parandalojmë me një edukim, në shkolla dhe në ambiente sociale”, – tha mjekja italiane Angela Andreoli.
Mjekët e nutriciuonistët dhanë mesazhe që kanë të bëjnë edhe me alergjitë e shkaktuara nga përbërësit e ushqimeve, sikundër obeziteti dhe sëmundjet kardiovaskulare që burojnë prej tij.