Në mënyrë çnjerëzore, të akuzuarit e kanë rrëmbyer dhe më pas e kanë vrarë 14-vjeçaren Vanja Gjorgjevska, tha sot para gjykatës prokurorja Zhaklina Josifovska Kërstevska, në fjalën përmbyllëse për rastin e vrasjes së dyfishtë të së miturës Gjorgjevska dhe pensionistit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Në fjalën përmbyllëse, Josifovska e shpjegoi mënyrën se si të tre të akuzuarit, të udhëhequr nga Ljupço Palevski si i akuzuari i parë, e rrëmbyen dhe e vranë Vanjën. Sipas prokurorisë, nuk ka asnjë dilemë që kryerësit janë fajtorë, njësoj siç nuk ka dilemë, sipas prokurorisë, se babai i Gjorgjevskës i ka ndihmuar ata në rrëmbimin e vajzës së tij. Seanca gjyqësore vazhdon ende, ndaj mbetet të shihet çfarë dënimi do të kërkojë prokuroria, ndonëse është e sigurt se për të akuzuarin e parë do të kërkohet dënimi me burgim të përjetshëm. /Alsat.mk