Gazetar: Mihajllo Donev
Policia arrestoi Aleksandar Nacevin, pronarin e agjencisë së sigurisë e angazhuar në diskotekën “Puls” në Koçan kur shpërtheu zjarri, ndërsa humbën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Ministria e Brendshme konfirmoi se Nacev u arrestua pas kontrolleve në disa lokacione.
“Ministria e Brendshme, në koordinim me prokurorin publik, me urdhër të gjykatësit së procedurës paraprake, kreu bastisje në dy lokacione në Shkup dhe Probishtip, në lidhje me një agjenci sigurie, gjatë të cilave personi A.N. ishte i privuar nga liria”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
Ndërkohë, prokuroria njoftoi se hetimi për zjarrin është zgjeruar duke përfshirë edhe një person tjetër, që do të thotë se Nacev akuzohet për krime të rënda kundër sigurisë publike. Agjencia e Nacevit, pa kontratë të nënshkruar me kabarenë “Puls”, ka ofruar siguri për objektin ndërsa pronari i agjencisë, së bashku me të dyshuarit që vepronin si sigurim, kanë kryer disa shkelje.
“Pa asnjë vlerësim dhe plan sigurie, si dhe pa kontrolluar kushtet e mbrojtjes nga zjarri dhe rreziqet nga zjarri, pa kryer inspektim në lidhje me kushtet e sigurisë në kabare, gjatë mbrëmjes kur ndodhi zjarri, ata nuk kontrolluan dhe lejuan fëmijët të hynin në objekt. Ata as nuk e penguan përdorimin e mjeteve piroteknike”, thonë nga Prokuroria Publike Themelore.
Hetimi i prokurorisë deri më tani ka përfshirë 46 persona për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Hetimi përfshin gjithashtu 14 zyrtarë policorë, për të cilët ende po mblidhen prova. Rreth 400 dëshmitarë dhe palë të dëmtuara janë marrë në pyetje kurse hetimi pritet të përfundojë deri në mesin e këtij muaji. /Alsat.mk