Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujoviq, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë.

Ministri ka pohuar se në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare, transmeton Telegrafi.

“Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror. Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujoviq, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, ka pohuar ministri.

Ai ka pohuar tutje se “nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë.

“Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, ka theksuar ai.

Sveçla shkroi se institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se bazuar në Ligjin Nr. 04/L-125 për shtetësinë e Kosovës, Udhëzimit Administrativ (MPB) nr.06/2019 për Procedurën e Humbjes së Shtetësisë së Kosovës me Lirim dhe Privim dhe shqyrtimit të rekomandimit nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, ka nxjerrë vendim përmes së cilit shtetasi N.V humb shtetësinë e Republikës së Kosovës me privim.

“Shtetasi në fjalë duke qenë edhe shtetas i Serbisë është marrë me aktivitete që cenojnë sigurinë e Republikës së Kosovës, në cilësinë e pjesëtarit të forcave të policisë së Serbisë, e gjitha kjo pa pëlqim nga organi kompetent dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake siç e parasheh legjislacioni në fuqi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj dhe në koordinim me institucionet tjera të sigurisë mbetet e përkushtuar për garantim dhe respektim të rendit e ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/