Gazetari hebre në Gjermani, Gak: Shkaku i kaosit në Lindjen e Mesme është projekti “Izraeli i madh”

SELMAN AKSÜNGER

Gazetari hebre që jeton në Gjermani, dr. Martin Gak tha se sulmet e Izraelit në rajon janë të paligjshme dhe se këto sulme lidhen me qëllimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe partnerëve të tij politikë për të realizuar projektin “Izraeli i madh” dhe për t’u bërë qendër e madhe fuqie në rajon.

Gazetari Gak në një prononcim për Anadolu foli për sulmet e Izraelit që kërcënojnë gjithnjë e më shumë vende në Lindjen e Mesme dhe strategjinë e kaosit të qeverisë së kryeministrit Netanyahu.

– “Kategorikisht kjo nuk është mbrojtje legjitime”

Lidhur me sulmet e Izraelit, Gak tha: “Kjo kategorikisht nuk është mbrojtje legjitime. Këtë nuk e konsideroj as një sulm parandalues. Ky është vetëm parandalim shkatërrues dhe shfarosjeje. Shkatërrim i plotë i të gjithë rajonit, duke mos lënë asnjë mundësi për përgjigje ose mbrojtje”.

Ai thekson se Izraeli me veprimet e tij ka shkaktuar breza të tërë anti-Izrael, megjithëse jo antisemitë (kundër hebrenjve). “Netanyahu, koalicioni i tij dhe e djathta ekstreme në Izrael kanë një qëllim të përgjithshëm për të zgjeruar territorin e tyre. Për të qenë i sinqertë, ky plan është shumë më i madh se dizajni teologjik i ‘Izraelit të madh'”, thotë Gak.

– “Strategji shkatërrimi në stilin rus”

Gak tha se Izraeli vepron në Lindjen e Mesme sikurse Rusia. “Nëse shikoni Gazën dhe Libanin jugor, imazhet na kujtojnë Groznin në luftën e dytë çeçene ose atë që rusët bënë në Halep pasi ndërhynë në anën e Asadit. Ajo që shohim është një strategji shkatërrimi e plotë në stilin rus”, tha ai.

“Fakti që izraelitët shkojnë në vende të ndryshme dhe ecin lirshëm gjatë ditës, shfaqen dhe tregojnë se askush nuk mund t’i prekë ndërsa masakrojnë mijëra fëmijë, gra, të moshuar dhe burra tregon se këtu ka pushtet pa kufi dhe të pakufizuar”, tha Gak duke shtuar se kjo situatë do të thotë ekspozim i pandëshkueshmërisë.

– “Pushtet i pakufizuar si SHBA-ja, Rusia dhe Kina”

“Qëllimi i Izraelit ka tejkaluar qëllimin e tij për të zgjeruar territorin e tij dhe për të arritur ‘Izraelin e madh’ të premtuar në Torah. Kjo do të thotë se Izraeli po ndërton veten si një qendër pushteti me të njëjtat kapacitete operacionale dhe të njëjtën sferë politike ndikimi si SHBA-ja. Kjo është ajo që kemi parë prej vitesh në Afganistan, Irak dhe Amerikën Latine”, tha gazetari hebre.

“Është pushtet absolutisht i pakontrolluar dhe i pakufizuar pa respekt për të drejtën ndërkombëtare apo parimet mbi të cilat ndërtuam rendin ligjor pas Luftës së Dytë Botërore. Është në të njëjtën frymë me hyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe Çeçeni”, tha Gak duke shpjeguar se edhe politika e Kinës ndaj ujgurëve është e ngjashme.

– “Emra të rrezikshëm në koalicionin e Netanyahut”

Gak përmendi faktin se ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich në Izrael e kanë shprehur hapur të ashtuquajturin planin e “Izraelit të madh” pa e fshehur atë.

“Shqetësimi kryesor i Netanyahut është vetvetja. Ai duhet të shpëtojë veten. Ka njerëz në koalicion që prej kohësh kanë pretenduar një ‘Izrael të madh’. Politikanët izraelitë po i bëjnë presion Netanyahut për të zbatuar planin e ‘Izraelit të madh'”, shtoi Gak.

Duke theksuar se këta njerëz janë pjesë e qeverisë izraelite dhe në një pozicion vendimmarrës, Gak tha:

“Nuk po flasim vetëm për Libanin jugor. Po flasim për diçka që përfshin pjesë të Sirisë dhe pjesë të Egjiptit. Po flasim për një nacionalizëm dhe ekspansionizëm kanceroz që nuk e kemi parë që nga ekspansionizmi gjerman në mesin e shekullit të 20-të”.

– “Gjysmëfinalja Irani, finalja Turqia”

Gazetari hebre thotë se grupi më i rrezikshëm në Izrael janë ata që kanë qasjen e “sigurisë globale” të cilët veprojnë me qëllim sulmimin e çdo gjëje që e shohin si kërcënim ndaj tyre. “Në Izrael, ditët e fundit është folur se gjysmëfinalja do të luhet kundër Iranit dhe finalja kundër Turqisë. Nuk po flasim më për qasjen e hebrenjve ndaj librit të shenjtë. Tani po flasim për diçka shumë më afër mënyrës se si një republikan amerikan mendon për çështjet globale”, shtoi Gak.

“Kudo që shohin një pengesë të mundshme ose një boshllëk sigurie, këta njerëz janë mjaftueshëm të çmendur për të ngritur mundësinë e luftës edhe atje”, potencon ai.

Sipas tij, ideologjia ekspansioniste në Izrael nuk është judaizmi. “Judaizmi në thelb është një fe e mërgimit. Ky nuk është judaizëm. Këta janë në thelb njerëz të çmendur që mendojnë se hebrenjtë duhet të duken si tifozët e Maccabi Tel Avivit, duke ecur me shpata dhe mburoja”, tha Gak.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme