Policia e Kavajës ka ndërmarrë një tjetër aksion në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, duke liruar një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme në zonën bregdetare të Golemit.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu sekuestruan 100 komplete me çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje nga tre shtetas, për të cilët është nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Të dyshuarit janë identifikuar si B. O., 37 vjeç, T. O., 72 vjeç dhe B. A., 41 vjeç, banues në Kavajë dhe Golem.
Policia njoftoi se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare për të garantuar përdorimin e lirë të hapësirave publike nga pushuesit dhe për të verifikuar ligjshmërinë e aktiviteteve të subjekteve gjatë sezonit turistik.
Njoftimi i policisë:
Kavajë
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohet një hapësirë në plazhin e Golemit, që ishte zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 100 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 3 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan 100 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. O., 37 vjeç, T. O., 72 vjeç dhe B. A., 41 vjeç, banues në Kavajë dhe në Golem.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.