Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian nesër duhet të votojë për Raportin e progresit për Maqedoninë të raportuesit për vendin, Tomas Vajc.
Raporti fillimisht ishte planifikuar të hidhej në votim më 4 qershor, por u shty me kërkesë të Vajcit për shkak të presionit nga eurodeputetët bullgarë, të cilët nuk pajtohen me faktin se në dokumentin theksohet në mënyrë të qartë gjuha dhe identiteti maqedonas. Vajc shpjegoi në atë kohë se kishte qenë dëshmitar i debateve të forta politike rreth raportit, por se ai absolutisht qëndron pas dokumentit, për të cilin, siç tha, në negociatat dhe kompromiset ishin të përfshira të gjitha grupet parlamentare në Parlamentin Evropian.
“Ky është një raport i Parlamentit Evropian dhe i Bashkimit Evropian. Ky raport nuk synon të zgjidhë çështjet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ne e dimë se kjo ka të bëjë edhe me marrëdhëniet dypalëshe, por gjithashtu, le të themi, me sundimin e ligjit, trajtimin e komuniteteve minoritare e kështu me radhë. Prandaj, do të doja të kërkoja shtyrjen e votimit për këtë raport për më 24 qershor, deklaroi asokohe Vajc.
Në Raportin e Vajcit theksohet nevoja për të ruajtur momentin dhe besueshmërinë e procesit të integrimit evropian dhe theksohet se vendi vazhdon të demonstrojë angazhim ndaj integrimit evropian dhe harmonizimin me politikat e BE-së. Bëhet thirrje për përparim të shpejtë në negociatat e anëtarësimit në BE dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Në dokumentin ekzistojnë disa referenca për njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas.
Përpara votimit të raportit në PE, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që Raporti i Vajcit të miratohet dhe të dërgojë një mesazh të fortë për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Ai tha se në periudhën e kaluar ka pasur presion të fortë nga eurodeputetët bullgarë për të ndryshuar këtë raport, i cili flet për veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase.
Seanca e Komitetit të Punëve të Jashtme, sipas agjendës së ditës të publikuar në ueb-faqen e PE-së, është planifikuar të fillojë nesër në orën 9:00, ndërsa raporti i Tomas Vajc për vendin është pika e parë për shqyrtim dhe votim. Eurodeputetët bullgarë kanë paraqitur amendamente, disa prej të cilave kërkojnë që ai të mos prezantohet fare.