Gazetar: Avni Tahiri
Sezoni i zjarreve këtë verë nisi në territorin e Kumanovës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Kumanovë ka realizuar disa ndërhyrje për shuarjen e zjarreve në disa lokalitete të komunës së Kumanovës dhe Likovës, shkruan Alsat.
Sa i përket zjarrit që kaploi një pjesë të vegjetacionit mbi fshatin Vaksincë, ky zjarri është vënë nën kontroll nga brigada e Pyjeve Kombëtare, Kumanovë dhe sipas tyre, ky zjarr nuk përbën rrezik për përhapje të mëtejshme.
“Në 24 orët e fundit janë realizuar ndërhyrje me një automjet zjarrfikës dhe dy zjarrfikës, është ndërhyrë në djegien e vegjetacionit të ulët në lagjen Kojnare. Me tre automjete zjarrfikëse dhe shtatë zjarrfikës, është ndërhyrë në djegien e vegjetacionit të ulët në lagjen Banevo Tërllo. Me një automjet zjarrfikës dhe tre zjarrfikës, është ndërhyrë në djegien e vegjetacionit të ulët në fshatin Vaksincë, komuna e Likovës. Me një automjet zjarrfikës dhe katër zjarrfikës, është ndërhyrë në djegien e vegjetacionit të ulët dhe mbeturinave në fshatin Vaksincë. Me pesë automjete zjarrfikëse dhe trembëdhjetë zjarrfikës, është ndërhyrë në djegien e vegjetacionit të ulët, mbeturinave dhe një objekti për pjesë rezervë në rrugën Industriale, në lagjen Bedinje, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, në disa raste janë angazhuar deri në pesë automjete dhe mbi 13 zjarrfikës. Po ashtu, është raportuar zjarr edhe në afërsi të fshatit Strimë, ku zjarri në një zonë të paarritshme u vu nën kontroll nga punonjësit e Pyjeve Kombëtare dega Kumanovë.
Në komunikim me kryetarin e Komunës së Likovës, Erkan Arifi, tha se janë në komunikim me Qendrën për menaxhim me kriza dhe drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, dhe është kërkuar që në mënyrë urgjente të intervenohet për shuarjen e zjarrit. Sipas tij në të ardhmen do të shqyrtohet edhe plani për rigjallërimin e pjesës ku është kapluar zjarri./ Alsat.mk