Ministria e FSK’së ka ndryshuar njoftimin për media, të përcjellë të enjten pasdite, për ligjëratën e gjeneralit Rrahman Rama me studentët e një kolegji privat ku është folur për FSK’në. Aty Rama ka ligjëruar për transformimin e FSK’së në FAK, pa përmendur zhvillimet e fundit rreth temës së ushtrisë. Por, vetëm një ditë më pas nga MFSK ka ardhur një komunikatë e re ku fjalët e Ramës janë të njëjta me të Presidentit Thaçi.
Në fund të njoftimit të djeshëm, kjo ministri bënte të ditur se gjeneral Rama studentëve u ka elaboruar variantin e parë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, përmes transformimit të FSK’së në FAK- Forca të Armatosura të Kosovës.
Por, gati një ditë pas, pothuajse i njëjti njoftim është dërguar përsëri në e-mail të mediave, me ndryshime vetëm në paragrafin e fundit, ku jepen të dhëna për pjesën e ligjëratës së gjeneralit të FSK’së rreth krijimit të ushtrisë.
Për dallim nga komunikata e parë, ku varianti për krijim të ushtrisë i propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi nuk ishte përmendur fare nga gjeneral Rama, në të dytën, e cila madje u dërgua në ora 05:32 – pa filluar orari zyrtarë i ministrisë, thuhet se gjenerali i FSK’së i dha mbështetje projektligjit që Thaçi e dërgoi para dy jave në Kuvend, e aktualisht është në shqyrtim në Qeveri para hedhjes në votim nga ana e deputetëve.
“Komandanti i FSK-s gjeneral Rrahman Rama gjithashtu i njoftoi studentët e Kolegjit “Iliria” me procedimin e projektligjit të FSK-së nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, si dhe formimin e grupeve punuese nga Ministria e FSK-se, të cilët pas dhënies së mendimit, projektligjin ditë më parë e kemi procedue në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar të premten, pa zbardhur drita, nga zyra për informim e MFSK’së.
“Gjeneral Rama tha se Ministria e FSK-së dhe FSK shpreh pajtimin e plotë dhe mbështesin miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, përfundon ajo.
Ndërsa ky ishte fundi i komunikatës së djeshme, pjesa në të cilën përmendej krijimi i ushtrisë:
“Një pjesë të ligjëratës, komandanti i FSK-së e përqendroi në përgatitjet të cilat janë bërë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Pas rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë dhe analizës që i është bërë gjithë sektorit të sigurisë, për t`i analizuar sfidat e sigurisë të tashmes dhe të së ardhmes, si rreziqet e brendshme ashtu edhe ato të jashtme.
Ku mbi bazën e rekomandimeve të këtij rishikimi është planifikuar krijimi i Forcave të Armatosura, me mision të ri. “Mbi bazën e këtyre detyrave thelbësore është punuar dhe planifikuar edhe struktura e Forcave të Armatosura të Kosovës””, njoftonte dje në ora 17:26, e njëjta ministri.