Gazetare: Fatlume Dervishi
Kapitujt mund të hapen menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese, pa kushte të tjera, tha komisionerja për zgjerim Marta Kos pas takimit me liderët e rajonit në Shkup. Ajo tha se BE-ja është opsioni më i mirë për ruajtjen e identitetit. Kos nuk komentoi përpjekjet e fundit në Parlamentin Evropian për t’i shtuar fjalën “modern” gjuhës dhe identitetit maqedonas.
“Për Komisionin Evropian situata është e qartë, nëse Maqedonia e Veriut do të zbatojë dhe të ndryshojë Kushtetutën, gjë që nuk është e lehtë dhe unë jam shumë e vetëdijshme për këtë, atëherë ne duhet të fillojmë menjëherë hapjen e kapitujve pa vendime dhe kushte shtesë. Anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për të mbrojtur identitetin, kulturën dhe gjuhën e maqedonasve sepse BE-ja ndërtohet mbi diverzitetin dhe kujdeset për vendet anëtare dhe sigurohet që identiteti të mbrohet. Identiteti, në opinionin tim, asnjëherë s’mund të jetë çështje vendimesh politike. Identiteti është diçka që mbajmë në shpirt dhe në zemër, identiteti është si ndihemi për vendin tonë, identiteti është si kujdesemi për traditat tona si manastiret, si “pogaça”, “tafçe grafçe”, “pinxhur” ose “speca të mbushur”, deklaroi Marta Kos, Komisionere për zgjerim e BE-së.
Megjithatë kryeministri nuk është i bindur për garanci. Ai thotë se përpjekja për të definuar gjuhën dhe identitetin maqedonas si “modern” mund të vazhdojnë. Për kryeministrin, identiteti është më shumë se traditat ushqimore.
“Sa i takon versionit të raportit që është tani para deputetëve, më duhet të them se pres çfarëdo inxhinjeringu. Nuk do më befasonte asgjë. Unë jam pak më i kujdesshëm gjithmonë kur bëhet fjalë për identitetin. Po, është e vërtetë se e kemi thellë në vete, por më duhet ta pranoj se këto tre dekada humbëm shumë nga identiteti ynë duke ndryshuar emrin, flamurin, dhe disa herë Kushtetutën. Dhe në kushtet kur nuk ka garanci se ky do të jetë lëshimi i fundit që do të bëjmë sa i takon identitetit, unë do të isha shumë më i kujdesshëm sepse udhëhiqem nga parimi mos i dëgjo çfarë thonë por shikoi çfarë bëjnë. Për mua, identiteti im nuk është vetëm kuzhina e shkëlqyer maqedonase por edhe Goce Dellçev, Shapkarev, Kryengritja e Ilindenit, Dame Gruev, Jane Sansanski, etj”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ditë më parë në parlamentin evropian pati përpjekje nga disa eurodeputetë që me amendamente gjuhës dhe identitetit maqedonas në raportin për Maqedoninë e Veriut t’i shtojnë fjalën modern. Amendamenti ra në komision por nuk përjashtohet mundësia që ditët e ardhshme të propozohet përsëri në seancë plenare. /Alsat.mk