Një skandal korrupsioni ka shpërthyer në doganën greke të Mavromatios, përballë pikës kufitare të Qafë Botës, ku 13 punonjës doganorë janë arrestuar nga autoritetet greke.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, të ndaluarit dyshohen për shkelje të detyrës, ryshfet dhe korrupsion të strukturuar. Operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Punëve të Brendshme dhe ka sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në kufirin Qafë Botë, duke krijuar probleme për lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave për disa orë.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje për identitetin e të arrestuarve apo përmasat e plota të rrjetit korruptiv. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të publikojnë në vijim një deklaratë të zgjeruar me prova, materiale të sekuestruara dhe akuzat konkrete që rëndojnë mbi të dyshuarit.