SPAK dhe autoritetet italiane godasin organizatën kriminale shqiptare me bazë në Elbasan! Sekuestrohen miliona euro pasuri të vëllezërve Suel dhe Mario Çela, njëri në kërkim, tjetri në burg në Belgjikë

Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Veronës në Itali ka çuar në goditjen e një organizate kriminale shqiptare me qendër në Elbasan, e dyshuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash në territorin italian.


Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e zhvilluara në bashkëpunim nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Guardia di Finanza dhe seksioni i hetimeve financiare në Verona, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive me vlerë mbi 4 milionë euro.

Hetimi ka zbuluar se këto pasuri janë blerë dhe financuar me të ardhura të gjeneruara nga trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Paratë transferoheshin nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, e kontrolluar nga dy vëllezër shqiptarë, Suel dhe Mario Çela, drejt një kompanie të pasurive të paluajtshme në Itali. Në këtë mënyrë, përmes investimeve në ndërtim dhe rikonstruksion, paratë e pista legjitimoheshin.

Njëri prej vëllezërve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet aktualisht i burgosur në Belgjikë, i arrestuar në Verona në qershor 2024, i dyshuar për një vrasje mafioze në Antwerp, të lidhur me përplasjet mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Veronës kryen një operacion të përbashkët kundër një organizatë kriminale nga Elbasani, e cila vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

Sekuestrimi u ekzekutua sot më 3 korrik pas vendimit të Gjykatës së Veronës, si masë preventive, në kuadër të vijueshmërisë së hetimeve.

Pasuritë e sekuestruara janë:

  • Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)
  • Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)
  • Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)
  • Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.

Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqëndrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllëzerve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.

Njëri prej dy vëllezëve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

Për këtë të fundit ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Falë skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Veronës dhe SPAK u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.

Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.

Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale. Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme.

Procedimi penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake.

Për Prokurorinë e Veronës ky është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare, e cila investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian,në këtë rast, Italisë.

Operacioni i kryer konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK dhe autoriteteve italiane, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme