Pas goditjes së një tjetër rasti të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, ku u arrestuan dy shtetas kosovarë dhe u sekuestruan 8 armë zjarri të llojit pistoletë, ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Në një mesazh publik, Proda e cilësoi operacionin si dëshmi të vendosmërisë së Policisë së Shtetit për të goditur rrjetet kriminale që furnizojnë me armë tregun e zi dhe strukturat kriminale në Shqipëri.
Ai falënderoi strukturat e Policisë së Kukësit – patrullat, forcat “Shqiponjat” dhe specialistët e hetimit – për profesionalizmin dhe reagimin në kohë. Arrestimet dhe sekuestrimi i armëve u kryen në zonën e Ura e Hasit, në kuadër të operacionit të koduar “Kalibri”.
“Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për efektivët që, me profesionalizëm të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve në sasi të mëdha,” u shpreh kreu i Policisë.
Proda vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim do të zgjerohet për të ndjekur rrënjët e trafikut të armëve dhe për të goditur çdo hallkë të zinxhirit kriminal.
“Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme,” përfundoi ai.
MESAZH I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT, ILIR PRODA
Operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri, janë një dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit. Po ashtu, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.
Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova.
Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar.
Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.
Në këtë betejë të përditshme, jam i bindur se suksesi i plotë vjen vetëm me bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, shoqërinë civile, të rinjtë e të rejat dhe median. Ndërsa ne punojmë për sigurinë tuaj, ju ftoj të qëndroni pranë Policisë, të bashkëpunoni dhe të jeni pjesë e kësaj fryme të re të besimit dhe respektit reciprok.
Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona.
Faleminderit strukturave të Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
Faleminderit qytetarëve që dita-ditës besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit.
Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme.