Pas transmetimit të historisë prekëse të Mimoza Sallakut, 59-vjeçares nga fshati Topojë i Fierit, e cila vuan nga çrregullime të rënda të shëndetit mendor dhe jeton e vetme në kushte të vështira, emisioni “Tak Fak” dhe gazetarja Anxhela Gjiriti kanë vënë në lëvizje institucionet përkatëse.
Në një intervistë me administratorin e njësisë vendore, Aleksandër Kola, u konfirmua se rasti i Mimozës është ndjekur prej kohësh dhe se situata e saj është përkeqësuar ndjeshëm pas vdekjes së nënës. “I kemi sugjeruar motrës së saj të nisë procedurat për sistemim në një qendër rezidenciale,” tha ai.
Punonjësi social Shpëtim Duraj pranoi se mungesa e një kujdestari ligjor dhe kapacitetet e kufizuara e kanë bërë të pamundur trajtimin e qëndrueshëm të rastit në nivel lokal.
“Nuk kemi kushte për ndihmë të përhershme pa pasur një vendim zyrtar për kujdestari,” tha ai.
Ndërkohë, Bashkia Fier ka sqaruar se nuk disponon qendra rezidenciale për persona me probleme të shëndetit mendor, përveç një shtëpie për të moshuar, ku kriteri është mosha e pensionit.
Mjeku i familjes, Olsi Ristani, konfirmoi diagnozën e Mimozës si skizofreni, me përkeqësime gjatë stinës së verës, dhe theksoi se ajo nuk është e aftë të kujdeset për veten, duke u bërë shpesh shqetësim për komunitetin.
Pas ndërhyrjes së Shërbimit Social Shtetëror, rasti është referuar në Drejtoria e Përgjithshme, ndërsa vlerësimi për caktimin e një kujdestari të përhershëm do të kalojë në Komisionin Biopsikosocial.
Autoritetet lokale konfirmuan se janë në ndjekje të përditshme të situatës dhe premtuan se do të ndërmerret një zgjidhje e qëndrueshme dhe e sigurt për Mimozën në ditët në vijim. Rasti i saj mbetet simbol i dështimit të sistemit social për mbrojtjen e më të pambrojturve, por gjithashtu dëshmi e forcës së zërit qytetar dhe të medias.