Në territorin e Çuçer Sandevës vazhdon të jetë aktiv zjarri i cili, për fat të keq, ende nuk është vënë nën kontroll pavarësisht ndërhyrjeve intensive ajrore dhe tokësore. Gjatë ditës së sotme, në terren kanë punuar pa ndërprerje të gjitha forcat në dispozicion — përfshirë shërbimet komunale, qytetarë, si dhe ekipe nga Njësia për Trajtim të Zjarreve, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht të vështira, ndërsa tymi i zjarrit është përhapur në të gjithë komunën dhe fshatrat përreth, si Çuçer, Mirkovc, Gluvo, Brazdë, deri në Butel. Gjithashtu, është regjistruar një zjarr i ri në fshatin Kuçevishte, që po përhapet shpejt dhe rrezikon banesat e zonës.
Në orët e mëngjesit janë përdorur tre aeroplanë për ndërhyrje ajrore, ndërsa gjatë pasdites është ndërhyrë me një tjetër mjet ajror. Për shkak të përmirësimit të kushteve të motit gjatë natës, pritet që zjarri të qetësohet pjesërisht, duke mundësuar një ndërhyrje më efikase në terren gjatë ditës së nesërme.
Aksionet e zjarrfikësve dhe forcave të tjera institucionale do të fillojnë që në orën 5:00 të mëngjesit të nesërm, me mbështetje të dy mjeteve ajrore të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ekipet do të vazhdojnë punën edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke reaguar sipas nevojave dhe prioriteteve në terren.