25 Gusht 2016 – Sakte.net 09:26
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në profilin e vet të Facebookut sot ka bërë një paralele ndërmjet zhvillimeve në botë dhe atyre në Kosovë. Sipas asaj që ka shkruar, realitetin e luftarak botëror, kryeministri e ka parë edhe në vendin tonë, transmeton Koha.net.
Mustafa, ka detektuar shumë lajme që sipas tij, veprohet dhunshëm nëse vazhdohet me procese demokratike, ndërsa ka paralajmëruar se të tjerët mund at shfrytëzojnë këtë situatë e SHBA dhe vendet tjera, parasheh ai, mund të mos jenë në anën tonë.
Kryeministri ka numëruar ngjarjet e zhvilluara në Kosovë qëkur ai e ka zënë këtë post e të cilat i vishen kryesisht opozitës. Mustafa në ndërkohë po ashtu ka paraparë dhunë të re nga opozita, “nëse vazhdohet me procese demokratike të shtetndërtimit të vendit tonë”, pa treguar se cilat janë ato proces demokratike duke lënë të kuptohet se demokraci është vetëm agjenda e tij qeveritare e hartuar nga dy partitë në koalicion: Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe formimi i AKS-ës që Qeveria po i cilëson si kushte për liberalizim vizash e krijim të FAK-ut.
Për të gjitha këto, Mustafa ka shkruar:
“Miq të nderuar,
“Bota po kalon një periudhë të luftërave dhe krizave shumë shqetësuese. Omar Daqnesh, një djalosh katërvjeçar sirian i nxjerrë nga rrënojat e bombardimeve, këto ditë ishte pamja tragjike e botës së sotme. Janë miliona refugjatë nga Siria, Iraku, Avganistani, Libia. Sulmet ruse në Ukrainë dhe pushtimi i Krimesë- një vendi Sovran. Aktet terroriste në Francë, Belgjikë, Turqi. Tentim grushteti në Turqi me shumë viktima në njerëz. Nuk janë këto vetëm lajme dhe pamje të rënda, por janë realiteti në të cilin po jetojmë.
Edhe realiteti ynë për një kohë të gjatë, për fat të keq, zë lajmet botërore me gazin lotsjellës në Sallën e Parlamentit, me sulmet me shishe molotovi dhe gurë në ndërtesat qeveritare e shtëpi private, me hedhje të bombave në shtëpi private dhe Televizionin publik, me gjuajtje me armë të rënda në ndërtesën e Parlamentit, por edhe me pamjet nga selia e VV e mbushur me maska, shishe molotovi, sfera të qelqta dhe objekte tjera të rrezikshme. Të çdoditshme janë kërcënimet e njerëzve nga opozita se do të veprojnë dhunshëm nëse vazhdohet me procese demokratike të shtetndërtimit të vendit tonë. Në krejt këtë situatë po e shohim se edhe njerëzit tanë po e sulmojnë shtetin e tyre, por nuk duhet të kemi iluzione se edhe dikush tjetër s’mund të shfrytëzojë këto kërcënime.
Nëse jo të tjerët, Kosova ka të freskët kujtesën për shumë e shumë fëmijë tanë, moshatarë të Omarit, për një milion të përzënë nga shtëpitë e tyre. Për shkatërrimet e pronave dhe shtëpive, për dhunimet, masakrimet e popullatës civile.
E kemi të freskët edhe kujtesën për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar për të shpëtuar nga gjenocidi dhe zhbërja. Kosova e ka përjetuar tmerrin e dhunës dhe nuk përkrah dhunën. Kosova ka pasur fatin që në momentet më të vështira i kanë dalë në krah SHBA-të dhe komuniteti ndërkombëtar. Këtë fat nuk do ta kemi përherë. Prandaj askush nuk ka nevojë të matë patkoin e atij që nuk i bie për këmbe. Trimat nuk janë për të kërcënuar vendin e tyre, por për ti dalë në krah këtij vendi”.