Dje, nëpër mes një komunikate nga Partia demokratike dega në Lipjan denoncon veprimet jashtë ligjore dhe korruptive të kreut të Komunës së Lipjanit Imri Ahmetin. Më tej thuhet se Komuna e Lipjanit vazhdon me shkeljet ligjore gjatë procedurave të rekrutimit Komuna e Lipjanit, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale vazhdon me shkeljet ligjore të njëpasnjëshme gjatë procedurave të rekrutimit duke injoruar totalisht legjislacionin në fuqi. Sot, më datë 31.03.2017, në lokacionet e QKMF-së, komisioni intervistues ka intervistuar kandidatë për vendin e punës Teknik Medicinal, përderisa Komuna e Lipjanit nuk ka hapur fare konkurs publik për këtë vend të lire të punës, madje në ueb-faqen zyrtare të Komunës nuk figuron fare shpallja e konkursit, dhe si rrjedhim është bërë shkelje flagrante e Ligjit Nr.03/L-212 I Punës, përkatësisht nenet 5 dhe 8 të Ligjit ku përcaktohet qartë procedura për punësimin në sektorin publik! Thuhet në komunikatë që transmeton Lipjani.info.
Gjithë kjo situate është krijuar për të punësuar bashkëshorten e Shefit të shërbimit të Emergjencës në Lipjan, i cili është edhe asamblist në Kuvendin e Komunës. Pas situatës së krijuar politike në institucione, në Komunën e Lipjan, asamblisti në fjalë duke shfrytëzuar pozitën e krijuar, ka afruar raportet me Drejtorin e DSHPS-së dhe Kryetarin e Komunës, duke bërë pazare me pozitën e tij për të punësuar bashkëshorten e tij e cila është Kandidate në Konkurs. Ne si sektor profesional në kuadër të PDK-së i dënojmë ashpër këto veprime të kundërligjshme që po e përcjellin çdo ditë sektorin e shëndetësisë nga ana e organeve komunale, dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë për të luftuar sistemin anarkik që ka instaluar kjo qeverisje e keqe. Ne do t’i drejtohemi organeve kompetente të drejtësisë për të hetuar këtë rast, në mënyrë që legjislacioni në fuqi të jetë i zbatueshëm për të gjithë, pa dallim.