Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber i ka bërë thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane, që të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.
Komentet e Stoltenbergut janë publikuar sot në gazetën gjermane, Handelsblatt.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka qenë i zëshëm në thirrjet e tij ndaj anëtarëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e tyre në mbrojtje.
Por Stoltenberg ka thënë se thirrja e tij për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nuk është drejtpërdrejt e lidhur me kërkesën e Trumpit.
Ai tha se kjo gjë është më shumë për shkak të afërsisë së Evropës me vende si Rusia, Siria dhe Iraku, të cilat janë shkaktarët e tensioneve të mundshme për evropianët.
“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ishte vendimi i duhur për të shkurtuar shpenzimet e mbrojtjes”, tha Stoltenberg për Gandelsblatt.
“Në qoftë se ne reduktojmë shpenzimet kur tensionet ulen ne duhet të jemi në gjendje që t’i rrisim ato kur tensionet janë duke u ngritur. Dhe kjo gjë është duke ndodhur”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u ka bërë thirrje homologëve në NATO që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Ai tha se Uashingtoni është duke shpenzuar për mbrojtje, shumca që janë në disproporcion me partnerët e tjerë.