Ministri gjerman i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel do të vizitojë të enjten Kosovën për herë të parë qëkur ka marrë këtë post.
Para nisjes së tij drejt Prishtinës ai ka deklaruar se në Ballkanin Perëndimor ka pasur progres të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit, por së fundmi janë vërejtur se disa plagë të së kaluarës janë ende të hapura dhe mund të çojnë në tensione edhe sot e kësaj dite.
“Ne dëshirojmë të përkrahim edhe më tej shtetet e rajonit në zhvillimin e tyre demokratik dhe kushtetues drejt stabilitetit dhe mirëqenies. Për këtë arsye, unë sot udhëtoj për herë të parë drejt Ballkanit Perëndimor, në Serbi dhe në Kosovë, dhe javën e ardhshme gjithashtu do të vizitojë Shqipërinë, ashtu që të kem një përshtypje personale. Ju siguroj bashkëbiseduesve të mi se rruga drejt BE-së vazhdon të jetë e hapur nëse përcaktoheni për reforma dhe progres në vend të përçarjes dhe ngecjes”, ka thënë Gabriel.
Gjatë vizitës së tij, Gabriel do të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ndryshe, para se të emërohej ministër i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, ishte ministër i Ekonomisë dhe Energjisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Më 27 janar 2017 ai ka marrë postin e shefit të diplomacisë gjermane.