Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari, ka folur për konkursin e hapur për ndërtimin e shtatores së ish-liderit komunist, Fadil Hoxha, që u përcjell me akuza të shumta që kanë të bëjnë me rëndësinë që figura e Fadil Hoxhës kishte në Kosovë.
Kusari ka treguar se vendimi i vendosjes së shtatores së komunistit është marrë në mandatin e kaluar, kur Gjakova udhëheqjes nga Pal Lekaj, që tani po e kundërshton ndërtimin e përmendores.
Kryetarja e Gjakovës ka thënë se subjektet politike që tani kanë dalë kundër përmendores së ish-kryekomunistit, më parë e kishin nderuar Hoxhën si figurë të rëndësishme historike.
Ajo ka shtuar se në këshillin organizativ në varrimin e Hoxhës kishin marrë pjesë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Ceku dhe shumë intelektualë. Kusari gjithashtu ka thënë se edhe vdekja e bashkëshortes së ish-liderit komunist është organizuar nën patronatin e ish-kryetarit Lekaj.
Madje, ajo ka thënë se kjo shtatore do të jetë atraksion në komunën e Gjakovës, sepse është pjesë e historisë së ndërtimit të kombit.
Kusari ka shprehur opinionin e saj personal për Fadil Hoxhën. E para e Gjakovës ka thënë se po tentohet të krijohet konflikt mes personave që nuk janë në jetë dhe se ajo vlerëson Hoxhën, ashtu siç bënë edhe historia.
“Meritat e Hoxhës janë më të mëdha se ato çfarë fliten për të,” ka thënë Kusari në InfoBox.
Ndryshe, Fadil Hoxha derisa udhëhiqte komunistët në Kosovë thuhet të ketë urdhëruar vrasjen e heroit kombëtar Shaban Polluza, 72 vite më parë.