Çështja është trajtuar ftohtë edhe nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. “Është një çështje që u takon strukturave që merren me hetimet paraprake, kur të vijë në prokurori do të shqyrtohet. Aktualisht akoma nuk ka mbërritur”, ka thënë Llalla.
Publikimi i versionit mbi një skenar të Moskës për destabilitet me atentatin e mundshëm ndaj Bashës ka sjellë dhe reagimin e Ambasadës Ruse në Tiranë, e cila ka hedhur poshtë të gjitha aludimet e ngritura.
“Ambasada, me gjithë respektin që ka për gazetën “Shekulli” dhe stafin e saj, konstaton me keqardhje se kjo gazetë në këtë rast është bërë e ngjashme me mediat perëndimore, të cilat po e fryjnë me vetëmohim mitin për të ashtuquajturin “kërcënim rus” dhe preferojnë ta shohin “dorën e Moskës” në ngjarje dhe fenomene nga më të befasishmet”, ka deklaruar selia diplomatike ruse.
Ndërkohë, Top Channel ka mësuar nga burime policore se ka pasur një kërcënim, por jo nominalisht për Lulzim Bashën. Kërcënimi në një formë deklarate mësohet se ka ardhur rreth dy javë më parë nga një grup i vetëquajtur paramilitar shqiptar në Maqedoni. Ata kanë kërcënuar të gjithë ata politikanë, të cilët sipas tyre janë duke shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët. Siç raporton Gazeta Lajm, në Maqedoni para disa javëve u paraqit me kumtesa “UÇK AKSH” që përputhet pak a shumë me periudhën kur i është dërguar kërcënimi Bashës.
Të ndodhur përpara këtij fakti, Garda e Republikës ka vendosur që t’i përforcojë masat e sigurisë ndaj Lulzim Bashës, si i vetmi politikan i cili nuk ka eskortë të përforcuar. Madje, edhe ish-kryeministri Berisha, të enjten në çadër, është shfaqur në publik me masa të shtuara të sigurisë personale.