Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel ende nuk ka deklaruar nëse do të kërkojë një mandat tjetër si kancelare. Por 50 për qind e gjermanëve janë kundër.
Gjysma e gjermanëve nuk duan që Angela Merkel të shërbejë edhe një periudhë tjetër si kancelare. Ky është përfundimi i një sondazhi të institutit për demoskopi Emnid të porositur nga gazeta Bild am Sonntag. Sipas sondazhit 50 për qind e pjesëmarrësve janë kundër një periudhe tjetër në post për Angela Merkelin dhe 42 për qind në favor.
Merkel nuk ka deklaruar ende nëse do të kërkojë apo jo një mandat tjetër si kancelare. Kancelarja është në këtë post që nga viti 2005. Nëse ajo fiton një mandat tjetër Merkeli mund të thyejë rekordin në këtë post të Helmut Kohl-it, i cili ishte kancelar për 16 vjet nga 1982 deri në 1998.