Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka akuzuar Lirak Çelajn dhe Agim Gashin se kanë tentuar të hyjnë me dhunë në Trafikun Urban.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka thënë se Çelaj dhe Gashi kanë shfrytëzuar ditë ne dëshmorëve për të tentuar të hyjnë me dhunë në Trafikun Urban dhe sipas Ahmetit, punëtorët e Trafikut nuk kanë lejuar që të dy të hyjnë në ndërmarrje.
I pari i Prishtinës ka akuzuar Çelajn dhe Gashin se kanë tentuar të shantazhojnë projektin e rimëkëmbjes së Trafikut Urban.
“Liraku dhe Agimi paskan vendosë sot me shfrytezu ditën e dëshmorëve me provu me hy me dhunë ne Trafik Urban. Punëtorët nuk po lejojnë që këta njerëz të hynë në ndërmarrje. Pas rehabilitimit të ndërmarrjes po tentojnë të shantazhojnë projektin e rimëkëmbjes. Sulmet tash janë të përditshme, por së bashku me qytetarë duhet ta ruajmë progresin e qytetit”, ka shkruar Ahmeti.
Janë të njohura problemet rreth formimit të komisioneve mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike në Prishtinë. Vazhdimisht ka pasur mosmarrëveshje mes Shpend Ahmetit dhe opozitës rreth këtyre komisioneve.