Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, për shkak të problemeve shëndetësore ndodhet i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Kujdesin Intensiv.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu. Ai tha se ish-kryeministri mbrëmë ka pësuar sulm në tru, ndërkaq aktualisht ai është pa vetëdije.
“Ju konfirmojmë se në mjekimin intensiv qendror të QKUK-së, është duke u trajtuar ish-kryeministri dr. Bajram Rexhepi, cili ka pasur problem shëndetësore që duhen të trajtohen në këtë njësi”, ka thënë Fazliu për bs.
Ai shtoi se ish-kryeministrit i janë bërë analizat laboratorike dhe radiologjike dhe është nën kujdesin intensiv të vazhdueshëm shëndetësor të mjekëve të QKUK-së.
“Është formuar një konsilium në përbërje të mjekëve të fushave të ndryshme përfshirë neurologun, kardiologun, kirurgun vaskular, anesteziologun e të tjera sipas nevojës.
Rasti është duke u përcjellë në vazhdimësi nga stafi i mjekimit intensiv”, bëri të ditur Fazliu.