Sa kohë i është e nevojshme familjes mesatare që fitojë një milion dollarë? “Economist” kohë më parë ka bërë hulumtimin dhe ka zbuluar që më së shpejti mund të bëheni milioner në SHBA.
Pra, një familjeje mesatare për të fituar një milion dollarë i nevojiten 20 vjet punë në Amerikë. Është interesante që në SHBA gjithashtu ka më së shumti familje me fitime prej një milion dollarësh, pothuajse katër për qind nga numri i përgjithshëm i familjeve.
“Economist-i” londinez për këtë hulumtim ka shfrytëzuar të dhënat se sa një familje mesatare fiton për një vit.
Në Norvegji ju duhen nja njëzet vjet për të fituar milionin e parë, disa vite më shumë do t’ju duhen në Zvicër dhe Austri, derisa në Danimarkë ju duhen tridhjetë vjet, si edhe në Kanada dhe Japoni.
Në Francë, Gjermani dhe në Britani të Madhe ju nevojiten dyzet vjet për të fituar një milion, në Itali, Spanjë dhe Izrael rreth pesëdhjetë vjet.
Është interesant që në Portugali nevojitet një jetë e tërë, madje jetë e gjatë, rreth nëntëdhjetë vjet, që të fitoni milionin e parë, në Kili nuk do të mund të fitoni as gjatë tërë jetës, sepse do t’ju nevojiten rreth 160 vjet.
Në Turqi afro 250 vjet, sa do t’ju nevojiten edhe në Bullgari.
Në Meksikë për milionin e parë do t’ju nevojiten tre shekuj, ndërsa në Rumani 350 vjet.
Fatbardhësisht ose fatkeqësisht, Economist nuk është marrë me Kosovën, ku individë të caktuar janë bërë milionerë brenda natës – ndërsa pjesës tjetër të popullsisë, ndoshta do t’ju duhen dekada të tëra për të arritur një synim të tillë.