Një ditë para protestës së lajmëruar nga opozita, kryeministri Rama akuzoi Partinë Demokratike se po kërkon të destabilizojë vendin.
“Ata që janë ngujuar sot në çadër nga frika e drejtësisë nuk e kanë aspak problem të prodhojnë probleme të reja për njerëzit dhe halle e konflikte të reja për vendin. Duan destabilizim, rrëmujë tym sepse e kuptojnë se çadra nuk i mbron dot edhe për shumë kohë nga drejtësia”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri u kërkoi qytetarëve të mos bëhen pjesë e protestës që sic është lajmëruar do të bllokojë rrugët kombëtare.
“Kush është shqiptar dhe me të drejtën e tij nuk e do këtë qeveri dhe mua për kryeministër duhet të refuzojë sidoqoftë të bëhet mercenar i politikës së përbuzjes për Shqipërinë duke bllokuar rrugët ku qarkullojnë njerëzit e këtij vendi. Fëmijë, nxënës, punonjës të sëmurë, të mirat materiale që furnizojnë ekonominë e familjeve”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se Policia e Shtetit ka për detyrë të dokumentojë çdo shkelje të ligjit dhe të çojë para drejtësisë këdo që shkel ligjin.
“A ja vlen të paguash ti, njeriu i zakonshëm për dëmin që ata duan t’i shkaktojnë Shqipërisë që të mos përgjigjen para drejtësisë për dëmet që të kanë shkaktuar edhe ty, demokrat e socialist, unë them jo, destabiliteti nuk do të arrihet kurrë, kush ngre dorën kundër shtetit e jo më policisë së shtetit nuk ka asnjë shans të fitojë mbi interesin e Shqipërisë. Drejtësia ka vonuar po nuk ka harruar, ajo është te pragu i derës sonë.”, theksoi Rama.