Koordinatori rajonal i kompanisë “Vala” në Pejë, Seremb Gjergjaj, dhe zyrtari i Postë Telekomit të Kosovës, Qamil Agaj, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës, për sulm fizik ndaj një punëtori tjetër të PTK-së, Nazmi Shala.
Aktakuza thotë se viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore nga ky sulm.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur me datën 6 qershor të vitit të kaluar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Sipas aktakuzës, deri te sulmi fizik kishte ardhur pasi Nazmi Shalës iu kishte kërkuar t’i ndërrohet vendi i punës, nga pika Numër 3 e postës për të kaluar në pikën Numër 8.
“Më datën 11.01.2016, rreth orës 10:02 minuta, në Postën nr-3 në Pejë, me dashje dhe në bashkëveprim, i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Nazmi Shala, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Qamil Agaj, zyrtar i operativës në Postë, rreth orës 09:00,shkon në Postën nr-3, i cili kërkon nga këtu i dëmtuari Nazmi Shala që i njëjti ta lëshon pikën nr-3 të postës dhe të kalojë në pikën nr-8,” thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Sipas aktakuzës, meqë i dëmtuari Nazimi Shala kishte kundërshtuar ndërrimin e vendit të punës, një orë më pas aty ishin paraqitur Qamil Agaj bashkë me koordinatorin e rajonal të kompanisë “Vala”, Seremb Gjergjaj.
“…Pasi i dëmtuari e kundërshton një gjë të tillë, i pandehuri Qamil largohet nga aty, me ç’rast pas një ore kthehet përsëri në postën nr-3, tani së bashku me të pandehurin Seremb Gjergjaj, të cilët vazhdojnë të bisedojnë me të dëmtuarin lidhur me largimin e tij nga pika nr-3 e postës. Më pas gjatë bisedës, fillimisht i pandehuri Seremb (Gjergjaj) e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushta në fytyrë”, thuhet në aktakuzë.
Sipas dokumentit të prokurorisë, Nazmi Shala ishte goditur nga Agaj edhe pasi ishte rrëzuar në tokë.
“Si pasojë e veprimeve të lartcekura të njëjtit i shkaktojnë lëndime trupore të përshkruara si në akt-eskpertimin mjeko ligjor”, thuhet në aktakuzë.
Seanca gjyqësore rreth kësaj çështje penale është caktuar të mbahet me datë 18 maj të këtij vitit.
Aktakuza thotë se i pandehuri Qamil Agaj, në deklaratën e dhënë në polici, në tërësi e ka mohuar veprën për të cilën është ngarkuar ndërsa ka kërkuar nga gjykata që të mos e marrë për bazë deklaratën e të dëmtuarit Shala dhe e ka mohuar të jetë goditur nga Nazmi Shala.
Por, sipas aktakuzës, nga raporti i lëshuar nga Spitali Regjional i Pejës “shihet se edhe i pandehuri Qamil (Agaj) ka pësuar lëndime trupore”.