Kryeministri i Serbisë dhe kryetari i saj i zgjedhur në votimet e prillit, dikur ministër i diktatorit Slobodan Milosheviq, Aleksandar Vuçiq sot ka thënë se deklaratat e përditshme të politikanëve shqiptarë për krijimin e Shqipërisë së madhe janë rezultat i aksionit të koordinuar mirë, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se ekziston edhe një shtet i cili po tregon interesim për Ballkanin.
“Ata po duan të formojnë sa më shumë ndikim te korpusi shqiptar në Ballkan dhe unë jam i habitur me këtë interesim”, citon FoNet të ketë thënë Vuçiq.
Në pyetjen e gazetarëve nëse fjala është për Turqinë, Vuçiq është përgjigjur:
“Këtë e thatë ju, jo unë”.
Ai ka vlerësuar se “qartë bëhet fjalë për një aksion të koordinuar mirë të politikanëve nga Shqipëria e Kosova por edhe nga shqiptarë të Luginës së Preshevës duke shtuar se për këtë “nuk ka kurrfarë dyshimi’.
“A e bëjnë këtë vetëm shqiptarët, apo e bëjnë këtë në koordinim me të tjerët, ndoshta me dikë nga një kontinent tjetër, pse tash dhe cilat janë qëllimet e tyre të vërteta? , është pyetur Vuçiq duke shtuar se e gjitha po bëhet në bashkëpunim me të paktën një shërbim sekret për të cilin ka thënë se ka dëshmi.
Ai ka theksuar se fjala është për përpjekjen që të legalizohet çështja shqiptare duke u futur në problemin e Maqedonisë, duke e provokuar Serbinë dhe duke i bërë shqiptarët viktima.
“Qëllimi i mundshëm i deklaratave të përditshme për Shqipërinë e madhe është që ky tregim të legalizohet e të bëhet normal dhe që askujt të mos i bie ndër mend që të reagojë për këtë”, thotë Vuçiq.
Ai ka theksuar se Jonuz Musliu “është hedhur në këtë tregim ashtu që nga ai të krijojmë heroin kombëtar shqiptar dhe që të ndërtohet rrëfimi se janë rrezikuar të drejtat e tij”
Vuçiq në vazhdim ka thënë se në Kosovë Beogradi nuk ka pushtet efektiv që nga viti 1999 ndërsa ka premtuar se “Serbia do ta ruajë paqen e stabilitetin” .
“Ndoshta BE po nënvlerëson atë që po ndodh në Tiranë e Prishtinë, në disa pjesë të organeve lokale në Bujanoc. Ne po përcjellim me kujdes çfarë po ndodh, theksojmë dëshirën se duam ta ruajmë paqen e stabilitetin gati me çdo çmim, por kufijtë mos i ndërroni ashtu, po kërcënoni dhe po krijoni diçka në dëm të territorit dhe të Kushtetutës së Serbisë, këtë nuk do ta lejojmë”, ka thënë Vuçiq.
Ai e ka falënderuar Hahnin për deklaratat e tij të djeshme dhe ka shtuar: “Te shohim çfarë do të thonë edhe BE, e natyrisht edhe Gjermania, Rusia e Amerika si fuqi të mëdha”, transmeton koha.net.
Duke komentuar deklaratën e Musliut se Vuçiqi e di se do krijohet Shqipëria e madhe, ai ka thënë se “Serbia e di ç’është territori ynë,e kemi Kushtetutën, se askënd nuk e ngucim e nuk kërcënojmë, se çdokush ka të drejtë flasë çfarë të dojë, por jo edhe të bëjë çfarë të dojë”.
“Nuk e di se çfarë do të formoni, nuk e di ku do ta formoni, por në territorin e Serbisë atë nuk do ta formoni. Për ua jap fjalën time të madhe, e ju e dini mirë se unë e mbaj fjalën që e jap”, ka thënë më fund Vuçiq.