Nëse PDK insiston në prishjen e koalicionit me LDK-në, atëherë kjo e fundit do të kërkojë shkarkimin e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të vendit. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, është shprehur se partia e tij do të kërkojë që të zbatohet marrëveshja e arritur. Ai thotë se dikush po mundohet që ta vërë në kurth kryeministrin Mustafa.
Në marrëveshjen për koalicion në mes të PDK-së e LDK-së, të nënshkruar në vitin 2014 për qeverisje, të dy këto subjekte politike ishin marrë vesh që për kandidat për president ta votonin Hashim Thaçin.
Pika 6, Neni C, i kësaj marrëveshje thotë se “…për pozitën e presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën- z. Hashim Thaçi”.
E deputetët e kësaj partie po thonë se nëse PDK-ja e prish koalicionin me LDK-në atëherë kjo e fundit do të kërkojë që të rishqyrtohet çështja e Presidentit Thaçi.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, i kontaktuar nga Gazeta Express, ka thënë se nëse prishet koalicioni të dy palët do të duhen që t’i përmbahen marrëveshjes që kanë nënshkruar për fillimin e qeverisjes. Rugova ka thënë se LDK-ja do ta shqyrtojë mundësinë për shkarkimin e Thaçit nga pozita e Presidentit.
“…në tekst të marrëveshjes figurojnë të gjitha ato. Në qoftë se partnerët e koalicionit kur mendojnë se duhet të prishet një marrëveshje duhet të ulen përsëri. Ata janë të prirë që t’i respektojnë marrëveshjet. Ne mund ta kërkojmë atë në takimet që mund t’i kemi në fazën e ardhshme”, ka thënë Rugova.
E edhe deputeti tjetër i LDK-së, Arben Gashi, të martën deklaroi se nëse prishet koalicioni atëherë prishja e koalicionit PDK-LDK bart me vete edhe disa pasoja. Gashi ka theksuar se nëse prishet koalicioni, atëherë LDK-ja do të kërkojë dorëheqjen e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi që, sipas Gashit, zgjedhja e presidentit ka qenë pjesë e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit.
E ndërkohë nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, ka thënë se lideri i partisë së tij, Isa Mustafa nuk ka dështuar rreth çështjes së Demarkacionit. Madje, ai është shprehur se dikush po mundohet që ta fusë në kurth kryeministrin e vendit.
“…Unë nuk mendoj që ka dështuar Isa Mustafa rreth çështjes së Demarkacionit. Kjo çështje është e përfunduar para ardhjes së tij në pozitën e kryeministrit. Nuk bëhet as koalicioni e as Qeveria me të ‘futne’. Nëse një marrëveshje është krijuar, atëherë duhet të respektohet”, ka deklaruar Rugova për Express.
Sido që të jetë, deputetët e partive opozitare tashmë kanë marrë iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit të Qeverisë./GazetaExpress/