Avokati Dastid Pallaska e ka kritikuar ashpër propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për të sanksionuar penalisht shpifjen dhe fyerjen ndaj udhëheqësve shtetërorë. Ai në një status në Facebook ka thënë se kjo është arkaike. Pallaska po ashtu ka treguar se i i vetmi politikan në botë që e ka përdorur këtë dispozitë ligjore të Kodit Penal të Gjermanisë në shekullin XXI ishte Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan.
Ky është reagimi i plotë i Pallaskës:
Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të sanksionuar penalisht shpifjen dhe fyerjen ndaj udhëheqësve shtetëror është arkaik.
Ndërsa, arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë se propozimi bazohet në Kodin Penal të Gjermanisë është qesharak.
Kjo dispozitë ligjore në Kodin Penal të Gjermanisë është mbeturinë arkaike e një epoke tjetër. Këtë e vërteton fakti se asnjë politikan gjerman modern nuk ka kërkuar mbrojtje sipas kësaj dispozite ligjore në shekullin XXI.
Në fakt – pasi që kjo dispozitë ligjore në Gjermani mbron edhe udhëheqësit shtetëror të huaj – i vetmi politikan në botë që e ka përdorur këtë dispozitë ligjore të Kodit Penal të Gjermanisë në shekullin XXI ishte Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i cili vitin e kaluar kërkoi dënimin dhe burgosjen e një satiristi gjerman.
Si pasojë e (keq)përdorimit të kësaj dispozite ligjore të Kodit Penal të Gjermanisë nga Presidenti Erdogan, në fillim të këtij viti Kancelarja Merkel ka marrë iniciativë që këtë dispozitë ligjore ta largoj nga Kodi Penal i Gjermanisë deri më 1 janar 2018.
Shpifja dhe fyerja në Kosovë janë probleme të mëdha për të gjithë qytetarët. Këtë problem duhet ta adresojnë gjykatat civile duke i shpërblyer viktimat e shpifjes dhe fyerjes, kushdo qofshin ata/ato, për dëmin që ju shkaktohet nga gazetarë dhe mediume të papërgjegjshme dhe/ose joprofesionale