Thaçi: Deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të gërditshme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi u është kundërpërgjigjur ashpër kritikave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët deklarimet e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet nëse Brukseli nuk ofron perspektivën integruese evropiane për Kosovën i kanë quajtur kërcënime për BE-në.

Këto deklarata Thaçi i quajti të gërditshme dhe bajate, duke shtuar se kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb e jo deklaratat e tij, shkruan “Zëri”.

 

“Kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb, është Beogradi i cili është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe në instalimin e ndikimit të fuqishëm të Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake deri në ‘MIG’-ët rusë dhe kjo përkëdhelje dhe këto deklarime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për Beogradin janë shumë bajate, shumë të gërditshme dhe neveritëse”, theksoi Thaçi, duke shtuar se këto deklarata janë të papranueshme për Kosovën, në veçanti në këtë vonesë të pajustifikueshme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lidhur me letrën të cilën Thaçi ia ka dërguar BE-së, në të cilën ka kërkuar monitorimin e zgjedhjeve komunale, presidenti ka thënë se e ndien obligim kushtetues, ligjor dhe politik që t’i ftojë vëzhguesit evropianë për këto zgjedhje.

“Si president i vendit punoj sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas opinioneve ditore apo politikave të partive politike e çfarëdo partie politike qoftë. Prandaj ndiej obligim kushtetues, ligjor dhe politik që të ftoj vëzhguesit evropianë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo është një ftesë në kohë të duhur që edhe autoritetet e BE-së dhe gjithë mekanizim tjetër mbështetës të përgatiten për këtë proces të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.

Kurse sa i përket mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, presidenti theksoi se kjo mbetet në vullnetin e partive politike, duke shtuar se ai do t’i respektojë marrëveshjet politike dhe do të jetë në krye të obligimeve të tij si president i vendit.

“Sa i përket çështjeve të tjera, mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, unë e respektoj Kushtetutën e vendit, mandatin e plotë kushtetues, ndërsa është në vullnetin e partive politike nëse duan zgjedhje të parakohshme. Unë do të respektoj marrëveshjen e partive politike dhe natyrisht se do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese. Sa i përket qëndrueshmërisë dhe funksionalitet janë partitë politike ato që përbëjnë koalicionin, janë ato që marrin qëndrimet, zotimet dhe përgjegjësitë dhe që e bëjnë vlerësimin e punës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi po ashtu theksoi se Kosova duhet të lëvizë përpara më shpejt, më mirë dhe me efikasitet drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë dhe perspektivës euroatlantike. /ZËRI/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme