Bashkimi Evropian po tregon standarde të dyfishta kur është fjala për Kosovën dhe rrugën e saj integruese, thonë njohësit e zhvillimeve politike. Sipas tyre, Brukseli e ka lënë anash Kosovën, duke i dhënë përparësi të dukshme integrimit të Serbisë, çka ka ndikuar me rritje frustrimesh në Kosovë.
Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe, siç kishte deklaruar ai, favorizimit që po i bëhet Serbisë.
Duke lënë anash faktin që institucionet e Kosovës kanë mundur të bëjnë më tepër në përmbushjen e agjendës evropiane, ka edhe një të vërtetë tjetër që ndërlidhet me neglizhencën e BE-së karshi Kosovës, thotë Emrush Ujkani, njohës i zhvillimeve politike dhe integruese.
Sipas tij, Kosovës po i kërkohet t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, madje edhe ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por në anën tjetër, BE-ja, thotë Ujkani, nuk e ka të qartë nëse do t’i liberalizonte apo jo vizat për Kosovën edhe po të përmbushej ky kriter.
“Edhe po t’i plotësonte Kosova të gjitha kriteret, si atë të demarkacionit dhe të tjerat, pra jo vetëm ato që ndërlidhen me agjendën e liberalizimit të vizave, por edhe shumë fusha tjera, prapë mendoj që pengesa tjetër do të vinte nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, të cilat vazhdojnë ta bllokojnë atë”, thotë Ujkani, raporton REL.
Retorika e ashpër e lidershipit të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian, sipas Emrush Ujkanit, megjithëse paraqet një joseriozitet, nuk pritet t’i dëmtojë marrëdhëniet dhe Brukselin dhe proceset integruese evropiane.
“BE-ja sikur është mësuar me reagime të tilla, pasi që edhe ajo ka qenë neglizhente në raport me Ballkanin Perëndimor, në këtë rast edhe me Kosovën, çka po e pranojnë edhe vetë zyrtarët në Bruksel. Prandaj, unë nuk mendoj se një retorikë e tillë i dëmton raportet dhe imazhin, por do të dalim jo serioz karshi partnerëve ndërkombëtarë”, thekson Ujkani.
Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa e kishte cilësuar si të pakuptimtë kushtin e Bashkimit Evropian për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave, këto ditë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Duke u ndërlidhur me mesazhet e zyrtarëve të BE-së, të cilët e qortuan në mënyrë indirekte Thaçin për deklaratat e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet nëse Brukseli nuk ofron perspektivën integruese evropiane për Kosovën, Thaçi tha se zyrtarët e BE-së po bëjnë deklarata të gërditshme.
“Kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb, është Beogradi, i cili është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm të Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake deri në MIG-at rus dhe kjo përkëdhelje dhe deklarime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për Beogradin janë shumë bajate, shumë të gërditshme dhe neveritëse”, tha Thaçi.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Bashkimi Evropian ka një kohë të gjatë që nuk e trajton Kosovën në mënyrë të barabartë me vendet tjera.
Aplikimi i standardeve të dyfishta në raport me Kosovën, sipas tij, ka ndikuar edhe në retorikën e ashpër politike të lidershipit të Kosovës, ndonëse sipas tij, institucionet e Kosovës nuk është dashur ta tolerojnë që në start këtë qasje të BE-së në raport me Kosovën.
“Kemi një neglizhim, kemi një injorim, kemi një qasje krejtësisht hipokrite të BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës, posaçërisht sa i përket liberalizimit të vizave, sepse është krejtësisht e pa kuptimtë që të mos ndodhë liberalizimi, ndërkohë që vendeve tjera, të cilat kanë pasur probleme edhe më të mëdha sesa Kosova, u janë liberalizuar vizat”, thotë Muhaxhiri.
Trajtimi jo i barabartë i Kosovës nga Bashkimi Evropian, thekson Artan Muhaxhiri, vërehet edhe në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Ai konsideron se Beogradi, nuk është qortuar as në momentet kur ka provokuar dhe sfiduar seriozisht sigurinë në Kosovë, siç ishte rasti me trenin rus që ishte nisur nga Serbia për në Mitrovicë.
“Ka pasur standarde të dyfishta ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë. BE-ja, ndaj Kosovës ka qenë shumë më e ashpër dhe shumë më hipokrite, sesa që ka qenë ndaj Serbisë, të cilës i janë lejuar edhe projekte provokuese edhe fashiste, siç ka qenë ai i trenit me slogane anti-kosovare dhe anti-shqiptare”, thekson Muhaxhiri.
Kosova ka mbetur prapa në proceset integruese evropiane, si shteti më i izoluar, dhe i vetmi në rajon pa liberalizimin e vizave.
Një gjendje e tillë, sipas analistëve, po i shton frustrimet dhe zhgënjimet, të cilat tani besohet se po reflektohen edhe në deklaratat e udhëheqësve të shtetit.