Nga rreth 700 kërkesa nga të burgosurit, Presidenti fal vetëm 12 persona

Nga 694 kërkesa nga të burgosurit për faljen e dënimit të tyre, presidenti Hashim Thaçi ka falur 12 persona.

Në Dekretin për Shpallje të Faljes së të burgosurve, të cilin e ka nënshkruar Thaçi ditën e djeshme, ai ka zgjedhur që katër personave t’u falet e gjithë pjesa e mbetur e dënimeve, ndërsa tetë të tjerëve t’u falen pjesërisht dënimet, raporton KTV.

Në KMDLNJ thonë se kanë pritur të falen më shumë të dënuar, derisa shqetësim paraqet falja e vetëm një femre.

Ndërkaq, pjesëtarë të shoqërisë civile, thonë se presidentit nuk duhet të fokusohet vetëm në data të caktuara për faljen e të burgosurve.

Zakonisht, të dënuarit në burgjet e Kosovës, janë falur për përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, mirëpo njëjtë nuk ndodhi këtë vit.

KTV-ja merr vesh se vonesat kanë ndodhur pasi që Zyra Ligjore e Presidentit, me Ministrinë e Drejtësisë dhe Autoritetet e Burgjeve, kanë rishikuar rregulloret për formimin e komisioneve dhe i kanë shqyrtuar ato duke futur kritere të reja në përzgjedhjen e kandidatëve.

Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat, të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.

Faljen e të burgosurve e kishte nisur në vitin 2009 ish-presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.


© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme