Partia Demokratike ka hedhur një tjetër hap në rrugën e daljes nga skena politike dhe jeta institucionale e vendit, duke humbur një tjetër mundësi, ndoshta të fundit, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.
Mesnata e 29 prillit shënoi fundin e afatit ligjor për partitë politike për të paraqitur listën e kandidatëve për deputetë dhe për rrjedhojë edhe për regjistrimin në zgjedhjet parlamentare.
Teksa pritej një reflektim në orët e fundit, partia më e madhe në opozitë, jo vetëm i qëndroi përbetimit për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por kërkoi që edhe kandidatët partive të tjera të mos pranoheshin, me argumentin që kishte skaduar afati.
Në këto kushte, nëse edhe në ditët në vijim nuk do të ketë një zgjidhje emergjente, Partia Demokratike do të mbetet jashtë procesit zgjedhor, duke humbur automatikisht disa të drejta dhe privilegje jetike për një forcë politike.
Partia Demokratike vijon në këtë rrugë me shpresën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme pas zgjedhjeve të 18 Qershorit. Por, edhe nëse një vit pas zgjedhjeve të 18 qershorit, shumica e re do të pranojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, PD do të hynte në këto zgjedhje si një parti jo parlamentare, pa një sërë avantazhesh dhe fuqish që ky status të jep.
Pasojat katastrofike të bojkotit
Bojkoti i zgjedhjeve parlamentare të qershorit do të prodhojë pashmangshmërisht pasoja katastrofale për fatin e Partisë Demokratike. Jo rastësisht, edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar disa muaj më parë se, bojkoti i zgjedhjeve është vdekjeprurës për një parti politike, aq më tepër për PD, e cila ka qeverisur për 15 vjet Shqipërinë. Por cilat do të jenë pasojat më të rënda dhe më të shpejta për Partinë Demokratike nëse bojkoton zgjedhjet? Cilat janë të drejtat dhe privilegjet që humbet PD?
Nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhje, sikundër deklarojnë krerët e saj, pas datës 18 Qershor, për herë të parë që nga themelimi i saj, Partia Demokratike humbet ligjërisht statusin e opozitës shqiptare. Katër vjet pas dorëheqjes së Sali Berishës, PD do të kthehej në një parti jo parlamentare. Për rrjedhojë, PD, pas 18 Qershorit nuk do të jetë më opozita legjitime në Shqipëri. Për t’u rifutur në skenën politike dhe institucionale, PD-së do t’i duhen edhe katër vite të tjera.
Humbja e selisë
Partia Demokratike humbet ligjërisht selinë pas 18 qershorit. Selia aktuale e Partisë Demokratike, e quajtur ndryshe Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, buron nga neni 22 i ligjit për partitë politike. Ky nen parashikon që partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Kur kjo është e pamundur, shteti merr përsipër pagesën e qirasë. Me bojkotin e zgjedhjeve, PD nuk është më një parti parlamentare dhe si e tillë, humbet të drejtën për të përdorur si seli të saj Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Në rast bojkoti, pas zgjedhjeve të 18 Qershorit, në bazë të ligjit, PD duhet t’i dorëzojë shtetit selinë e partisë.
Humbja e zërit në parlament dhe e prezencës mediatike
Opozita ka fjalën. Fjala është arma më e fortë e opozitës. Sali Berisha, edhe në shkelje të rregullores, ka shfrytëzuar si askush tjetër foltoren e Parlamentit, për t’i dhënë zë opozitës, për të shpërfaqur qëndrimet e saj, por edhe për të sulmuar kundërshtarët politikë. Gjatë kësaj legjislature, Berisha ka folur tre herë më shumë se sa kryeministri. Por, nëse Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit, ajo do të humbasë zërin e saj në Parlament. Do të humbasë armën e saj më të fortë. Humbja e zërit në Parlament është një goditje e fortë edhe për kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën, të cilin mosqenia deputet e vendos në pozita të disfavorshme në raport me kundërshtarin politik. Për rrjedhojë, Partia Demokratike do të humbasë edhe prezencën mediatike. Me daljen nga skena politike dhe jeta parlamentare, Partia Demokratike humbet prezencën dhe vëmendjen mediatike, e për rrjedhojë edhe vëmendjen e opinionit publik.
Humbja e anëtarëve në KQZ dhe komisionet e tjera
Gjithnjë në rast bojkoti, pas zgjedhjeve të 18 Qershorit, Partia Demokratike humbet përfaqësimin me anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në të gjitha nivelet e tjera të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. E drejta për të propozuar komisionerë u lind partive të reja opozitare, të cilat marrin numrin më të madh të vendeve në Parlamentin e ri. Neni 14 i Kodit Zgjedhor parashikon që 2 anëtarë të KQZ propozohen nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. E njëjta formulë aplikohet edhe me komisionet e tjera. Mandati i anëtarit të KQZ është gjashtë vjet, por vetë PD, në vitin 2013, ka vendosur një precedent, ku shkarkoi anëtarin e LSI, sapo kjo e fundit kaloi në opozitë. Megjithatë, edhe nëse Parlamenti i ri nuk do t’i shkarkonte tre përfaqësuesit e opozitës në KQZ, kjo e fundit do t’i humbiste anëtarët pas mbarimit të mandatit të tyre.
Humbjet e të drejtave që burojnë nga Parlamenti
Me bojkotin e zgjedhjeve, PD Humbet përfaqësimin në delegacionet dhe komisionet parlamentare, për shkak se nuk është më një parti parlamentare. Gjithashtu, Partia Demokratike do të privohet nga e drejta për të ngritur komisione hetimore për çështje të ndryshme dhe nuk mund të vërë më në lëvizjes Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e nismave ligjore të mazhorancës.
Gjithashtu, Partia Demokratike, me bojkotin e zgjedhjeve, humbet të drejtën për t’u përfaqësuar me anëtarë në nënkomisionet për të zgjedhur 10 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Po ashtu, PD nuk mund të përfaqësohet më me anëtarë në komisionet që do zgjedhin anëtarët e organeve të Vetingut. Gjithashtu, PD nuk mund të bëhet më pjesë e komisioneve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor si dhe humbet çdo mundësi për mocion mosbesimi ndaj qeverisë. PD nuk do të kishte mundësi as të kushtëzonte shumicën e re, nëse kjo e fundit do të ndryshonte Kushtetutën.
Privilegjet e tjera
Partia Demokratike është një parti e madhe dhe historike, me bazë solide dhe mbështetje të gjerë. Është partia e dytë më e madhe në vend, pas Partisë Socialiste. Si e tillë, edhe në ditët më të zeza, PD merr një numër të konsiderueshëm mandatesh në zgjedhjet parlamentare. Në rast bojkoti të zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit, Partia Demokratike nuk përfiton fonde vjetore nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të deputetëve që ka marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare, pasi PD do të figuronte me zero mandate dhe zero vota. Neni 19 i ligjit për partitë politike parashikon që 70 për qind e ndihmës shtetërore për partitë ndahet në pjesë të barabarta sipas votave të fituara në zgjedhjet fundit parlamentare. Gjithashtu, Lulzim Basha, duke humbur statusin e kryetarit të opozitës, do të humbiste të drejtën e shoqërimit me eskortë dhe benefite të tjera që burojnë nga ky status. Neni katër i ligjit për Gardën e Republikës, parashikon që Garda ruan e mbron…kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare… Ndërkaq, duke mos qenë pjesë e parlamentit, kupola drejtuese e PD, humbet edhe njëfarë imuniteti përballë ligjit. Po ashtu, shumë përfaqësues të PD, humbasin rroga, dieta dhe benefite të tjera që burojnë nga statusi i deputetit.
Disa nga të drejtat dhe privilegjet që humbet PD
1.Partia Demokratike kthehet në një parti jo parlamentare.
2.Partia Demokratike humbet ligjërisht statusin e opozitës shqiptare.
3.Në bazë të nenit 22 të ligjit për partitë politike, Partia Demokratike humbet selinë e saj, e quajtur ndryshe Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.
4.Humbet prezencën mediave dhe zërin në foltoren e Parlamentit.
5.Humbet përfaqësimin me anëtarë në KQZ, KZAZ, Grupet e Numërimit dhe Qendrat e Votimit.
6.Humbet të drejtën për të ngritur komisione hetimore.
7.Humbet të drejtën për të vënë në lëvizjes Gjykatën Kushtetuese.
8.Humbet të drejtën për t’u përfaqësuar me anëtarë në nënkomisionet për të zgjedhur 10 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
9.Humbet të drejtën për t’u përfaqësuar me anëtarë në komisionet që do zgjedhin anëtarët e organeve të Vetingut.
10.Nuk mund të bëhet pjesë e komisioneve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
11.Nuk mund të kushtëzojë me votë shumicën e re për ndryshime të mundshme në Kushtetutë.
12.Humbet çdo mundësi për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
13.Duke humbur vendet në Parlament, për rrjedhojë përfaqësues të Partisë Demokratike nuk do të përfitojnë rroga, dieta dhe benefite që burojnë nga statusi i deputetit.
14.Kupola drejtuese e PD, duke mos qenë pjesë e parlamentit, humbet njëfarë imuniteti përballë ligjit.
15.Humbet përfaqësimin në delegacionet e përhershme parlamentare dhe grupet e miqësisë.
16.Humbet përfaqësimin në komisionet dhe organizmat e tjera parlamentare.
17.Humbet kontaktet me Parlamentin Evropian.
18.Nuk mund të konsiderohet më një alternativë për qeverisjen e vendit.
19.Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha humbet të drejtën për t’u ruajtur dhe mbrojtur nga Garda e Republikës.
20.Partia Demokratike nuk përfiton fonde vjetore nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare.