Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin prej 10 muaj burgim me kusht, kryetarit të Komunës së Kllokotit, Srećko Spasić, i cili më 3 shkurt të vitit 2014, kishte shkelur detyrën zyrtare, duke e larguar nga puna drejtorin e Shkollës Fillore “Marko Rajkoviq” në fshatin Vërbovc
Ky është njoftimi i Gjykatës:
Të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare i vërtetohet dënimi
Prishtinë, 03 maj 2017- Gjykata e Apelit e Kosovës, ia ka vërtetuar dënimin prej 10 muaj burgim më kusht të akuzuarit S.S.
Kolegji penal i kësaj gjykate i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatit mbrojtës kundër aktgjykimit PKR.nr.186/15,të nxjerrë nga ana e Gjykatës Themelore- DKR në Gjilan, me 14.11.2016.
I akuzuari S.S. është shpallur fajtor, pasi që në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka tejkaluar autorizimet e tij në atë mënyrë që, me datë 3 shkurt 2014, ka nxjerrë aktvendimin me numër protokolli 4134/1, me të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar të dëmtuarin T.S. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Fillore “Marko Rajkoviq” në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 Dhjetor 2015.
Po të njëjtën datë me 3 Shkurt 2014 ka nxjerrë edhe aktvendimin me numër protokolli 4133/1, të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar dëmtuarin B.D. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Ekonomike – Teknike në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 Dhjetor 2015.
Me këtë i akuzuari S.S. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, nuk ka bërë shkeljeje të dispozitave të procedurës penale si dhe ka aplikuar drejtë ligjin penal.
Po ashtu, kjo gjykatë vlerëson se nuk qëndrojnë as pretendimet e mbrojtësit për dënim më të butë ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vlerësuar rrethanat e kryerjes se veprës penale si dhe ka marrë parasysh rregullat e përgjithshme për matje te dënimit.