Clinton merr përgjegjësi për humbjen, por fajëson Rusinë dhe FBI-në

Në intervistën e saj të parë të gjatë, që nga humbja e zgjedhjeve presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Hillary Clinton pranoi përgjegjësinë e saj për rezultatin. Por ajo fajësoi gjithashtu Rusinë si dhe drejtorin e FBI-së James Comey për ndihmën që siç tha, i dhanë rivalit republikan Donald Trump të shënojë atë që është cilësuar, si një fitore e papritur.

Ish sekretarja amerikane e shtetit bisedoi me gazetaren e njohur Christine Amanpour gjatë një forumi të grave në Nju Jork.

Sipas zonjës Hillary Clinton, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar më 27 tetor, ajo sot do të ishte presidente.

“Isha drejt fitores deri në momentin kur kombinimi i letrës së Jim Comey më 28 tetor me WikiLeaksin rus, ngritën dyshime në mendjet e njerëzve që ishin të prirur të votonin për mua, por që u frikësuan”, tha Clinton.

Ish kandidatja presidenciale e Partisë Demokrate kryesonte në sondazhet parazgjedhore deri në momentin kur drejtori i FBI njoftoi se do të rihapte një hetim lidhur me përdorimin nga zonja Clinton të emaileve personale ndërsa ishte Sekretare e Shtetit.

Edhe pse zonja Clinton nuk u akuzua për ndonjë krim, fushata e saj pësoi një goditje fatale vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve. Në janar 2017, komuniteti amerikan i zbulimit tha se kishte arritur në përfundimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar një fushatë për të minuar zgjedhjen e zonjës Clinton dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitonte.

Hillary Clinton, ish zonjë e parë, ish senatore si dhe ish sekretare e shtetit, thotë se është kthyer në një qytetare politikisht aktive. Në intervistën e dhënë dje ajo foli dhe mbi zhvillimet politike botërore aktuale, përfshirë kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Sipas saj fuqia ushtarake është vetëm një nga mjetet për mbrojtjen e interesave amerikane dhe se diplomacia e zhvillimi janë po aq të rëndësishëm.

“Koreano veriorët kanë qenë gjithnjë të interesuar për të tërhequr amerikanë në negociatat, jo vetëm Kim Jong Un, por dhe babai i tij më parë. Kjo për të ngritur statusin dhe pozicionin e tyre. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. S’mund të ofrosh negociata në mungesë të një kuadri strategjik më të gjerë, në mënyrë që Kina, Japonia, Rusia dhe Korea e Jugut të ushtrojnë presion mbi regjimin, për t’i sjellë ata më në fund në një tryezë negociatash me qasje realiste për ndryshim”, tha ajo.

Clinton njoftoi se po shkruante një libër për përvojën e saj si gruaja e parë e kandiduar për presidente nga një parti e madhe politike. /VoA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme