Kryeministri i Kosovës ka premtuar rritje pagash për punëtorët e sektorit publik në kohën kur zgjedhjet e jashtëzakonshme tashmë janë pranuar si mundësi reale. Një veprim të tillë e kishte bërë në vitin 2014 edhe ish-kryeministri Thaçi, që kishte ngjallur reagimin e ashpër të partisë së Mustafës.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa nuk ka qenë në gjendje të procedojë në kuvend marrëveshjen e demarkacionit, mosratifikimi i së cilës po mban peng qytetarët e Kosovës.
Në vend të kësaj, Mustafa ka premtuar rritjen e pagave të mijërave punëtorëve të sektorit publik, veprim ky që është në kundërshtim me zotimet që ai kishte dhënë pak kohë para se të vinin në pushtet dhe pasi mori drejtimin e Qeverisë.
Rritja e pagave për shërbyesit civilë, punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë, sipas Mustafës, mundësohet për shkak të ecurisë së mirë buxhetore.
Por, në kohën sa ka qenë në opozitë, partia që Mustafa drejton, LDK, kishte kundërshtuar ashpër një vendim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili vetëm pak muaj para zgjedhjeve kishte vendosur t’i rriste pagat e shërbyesve civile për 25 për qind.
Vendimi i atëhershëm i Thaçit cilësohej ekskluzivisht politik, për përfitime elektorale
“Është jo etike dhe e papranueshme që pagat të rritën dy apo tre muaj para zgjedhjeve, sepse ajo po përvetësohet dhe po bëhet çështje personale ndërkohë buxheti i Kosovës nuk është personal, por është shtetëror”, kishte thënë Mustafa në një intervistë për gazetën Zëri atë kohë.
“Mendoj se z. Thaçi është në një lloj paniku, sepse mënyra si po e zhvillon ai fushatën del se po e sheh të nevojshme të japë premtime tepër të mëdha dhe premtime, të cilat objektivisht janë të pa realizueshme dhe të pazbatueshme. Kjo për arsye të situatës ekonomike dhe sociale në të cilën gjendet vendi”.
Por, edhe zotimi i Mustafës për rritje pagash në këtë kohë mund të matet me motive elektorale, marrë parasysh se vetë kryeministri ka thënë qe vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme se shpejti nëse nuk arrihet të miratohet demarkacioni me Malin e Zi.
Kjo marrëveshje e nënshkruar para dy viteve u tha se do të dërgohej në Kuvend gjatë kësaj jave nga ana e Qeverisë, e cila ende nuk ka siguruar votat e të gjithë deputetëve të koalicionit qeverisës, përfshirë këtu edhe deputetët e LDK-së.
Por, demarkacioni nuk është përfshirë në pikat e rendit të dy seancave të ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Në fakt, edhe në fillim të mandatit të tij si kryeministër, Mustafa është treguar i rezervuar për mundësinë e rritjes së pagave. Thoshte se ato nuk mund të rriten për çdo vit.
Në këtë frymë, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk mund të përballojë pensionet e invalidëve të luftës së UÇK-së.
Në dhjetor të këtij viti, Qeveria inicioi ndryshime në ligjin për pensionet e kësaj kategorie, duke u arsyetuar se nuk mund të përballojë koston e lartë për shkak të numrit më të madh se sa pritej të veteranëve të regjistruar.
Këtë vendim Qeveria e kishte marrë në konsulta me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN)./Insajderi.com