Sot, u mbajt takim i përbashkët i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, gjatë të cilit takim u diskutua për procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Deputetët e LDK-së dhe anëtarët e Kryesisë theksuan se LDK-ja do të jetë unike në adresimin e kësaj çështjeje me rëndësi të madhe për të ardhmen e shtetit dhe për perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës. Gjatë takimit, u rikonfirmua mbështetja e të gjitha strukturave të LDK-së për deputetët e Kuvendit që të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke pasur parasysh argumentet e plota, të ofruara edhe për opinionin e gjerë, se me të Kosova nuk e humb asnjë metër katror të territorit të saj”, thuhet nga LDK-ja nëpërmes një komunikate.
Ata kanë thënë se këtë qëndrim e kanë sepse rikonfirmojnë përkushtimin për mbrojtje dhe avancim të interesave kombëtare të vendit, në partneritet me SHBA-të, përfitim të vizave dhe transformim të FSK-së.
Ishte qëndrim i përbashkët se LDK-ja me votimin unanim të kësaj marrëveshjeje do të rikonfirmojë përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare të vendit, fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar, për fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet e tjera mike, për liberalizmin e vizave, për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur dhe hapat e tjerë zhvillimorë të vendit.