Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka demantuar të gjitha zërat se pesë deputetët e Lëvizjes BESA kanë ikur nga Kuvendi të enjten e kobshmetë 27 prillit, por përkundrazi thotë ai, deputetët e BESËS kanë ndihmuar procesin e zgjedhjes së shumicës së re parlamentare.Në një intervistë për agjencinë Anadollu, Zaev sqaron se largimi i deputetëve të BESËS është bërë në konsultim me ta dhe pasi kanë kryer obligimin e tyre në sallë.“Pesë deputetët e BESËS ishin këtu prezentë, por nuk votuan dhe ata e treguan qëndrimin e tyre. Dikush thotë mirë, por përse e braktisën Kuvendin? Po edhe unë më herët, çdo ditë pas orës 18:00 e lëshoja Kuvendin. Tani normalisht kisha detyrim si pjesë e atyre që votuan dhe si kryetar i LSDM-së dhe zoti Talat Xhaferi të vijmë në pres qendër dhe t’i informojmë qytetarët përmes mediave. Njerëzit normalisht se nuk duhet të ngjiten lart me ne sepse nuk votuan për Talat Xhaferin, por ishin aty dhe normalisht se shkuan dhe kjo është e ndershme të thuhet”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kreu i socialdemokratëve, në këtë intervistë ka siguruar se shumë shpejt do të formohet edhe Qeveria e re e Maqedonisë dhe se ai është shumë i interesuar që në koalicionin qeveritar ta ketë edhe Lëvizjen Besa.“Lëvizja Besa qëndrojnë pas nesh me nënshkrimet e tyre për bisedime për Qeverinë. Unë shpresoj se do të jenë pjesë e Qeverisë nëse arrijmë të merremi vesh”, theksoi Zaevi.Zoran Zaev në këtë intervistë ka folur edhe për tmerrin e papritur që kanë përjetuar të premten nga grupi i huliganëve, ndërsa thotë se fati i gjithë asaj situate është se nuk ka pasur humbje jetësh.