Tri shkronjat e para të shqipes – “A B C” – i mirëpresin në oborr nxënësit e shkollës fillore “Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll të Vitisë.
Shumëkush kapet për shkronjat e betonta derisa shtyhet në lojëra të ndryshme me shokë e shoqe në pritje të ziles së shkollës për të filluar mësimin në objektin e mbushur në korridor me portrete të rilindësve e patriotëve shqiptarë, shkruan sot “Koha Ditore”. Shkronjat janë shtrënguar fort përtokë para hyrjes së shkollës në faqen e shpatit të fshatit malor.
Abetaret e toskërishtes dhe të gegënishtes
Në mesin e fatosave, dikush e ka pasur më lehtë e dikush më zor që në fillimin e vitit shkollor në fletoret me vija të ngushta ta lakonte dorën për t’i shkruar shkronjat ashtu siç duhet.
Tani, pas nëntë muajsh në shkollë, sfidat kanë kaluar për nxënësit e klasave të para, që në mes të majit shënojnë me ceremoni Festën e Abetares, shkronjat e së cilës u përcaktuan më 1908 në Manastir prej rilindësve e patriotëve shqiptarë të kohës.
Deri atëherë, shqipja shkruhej me alfabete të ndryshme. Edhe abetaret ishin të toskërishtes e të gegënishtes. Në fakt, me abetare të ndryshme kanë mësuar ta shkruajnë shqipen nxënësit shqiptarë të trevave të ndara në shtete të ndryshme deri para pesë vjetësh.
Më 2012, Shqipëria dhe Kosova nisën t’i mësonin nxënësit e klasave të para me abetare të përbashkët – 100 vjet pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur..