Përplasjet ndërmjet VMRO-së dhe LSDM-së tashmë janë bërë rutinë. VMRO-DPMNE ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferit, i cili ka thënë se seancat do t’i udhëheq në gjuhën shqipe duke akuzuar LSDM se po hesht edhe pas kësaj deklarate.
“Krimineli Zaev dhe LSDM, përpos që mashtruan qytetarët dhe shkelën vullnetin e tyre, kanë shkelur edhe Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet, ndërsa tani heshtin dhe përkrahin provokimet me të cilat fillon realizimi i Platformës së Tiranës. LSDM heshti edhe pas deklaratës së Talat Xhaferit se do të zyrtarizojë gjuhën shqipe në tërë territorin e vendit, ndërsa Kuvendit i Maqedonisë do të jetë parlamenti i tretë në rajon ku seancat do të udhëhiqen në gjuhën shqipe”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.
Ata thonë se sipas marrëveshjes së Ohrit, deputetët mund të drejtohen në gjuhën e tyre amtare nëse atë e flasin mbi 20 për qind të popullatës duke shtuar se gjuha e vetme zyrtare në Maqedoni mbetet gjuha maqedone dhe se Maqedonia po bëhet viktimë e sjelljes antishtetërore të Zaevit dhe LSDM.
Ndërkohë, një komunikatë për media LSDM ka porositur edhe një herë VMRO-DPMNE-në që në mënyrë të qetë të dorëzojë pushtetin dhe të bëhet opozitë konstruktive. Nga partia e Zaevit shprehen optimistë që qeveria e re do të formohet së shpejti dhe se presidenti Gjorge Ivanov është i njoftuar për shumicën parlamentare dhe nuk guxon të shkelë Kushtetutën.
“Po realizohet vullneti qytetar, do të formohet Qeveria e re, VMRO –DOMNE të distancohet nga provokimet e Gruevskit. Në periudhën që vijon është e rëndësisë së posaçme të mundësohet transfer i qetë i pushtetit dhe formimi i Qeverisë së re reformatore. Ky është interesi kryesor i qytetarëve dhe shtetit. Kjo është e nevojshme si për perspektivën euroatlantike të shtetit ashtu edhe qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre politike etnike çfarëdo përkatësie tjetër”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Socialdemokratët më tej thonë se “udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së me në krye Nikolla Gruevskin” janë politikan të tejkaluar dhe të konsumuar të cilët kujdesen vetëm për interesat e tyre kriminale. Nga partia e Zaevit nënvizojnë se nuk është i rrezikuar unitariteti i shtetit dhe se qytetarët këtë e dinë dhe e lexojnë Programin e qeverisë së re reformatore./SHENJA