Rusia ka zhvilluar paradën e përvitshme ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, në ‘Ditën e Fitores’, datë që përkon me fitoren e Ish-Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste. Në kryeqytetin rus janë ekspozuar pajisjet më të fundit ustharake, ndërsa vëmendja e ekspertëve është tërhequr nga një sistem anti-raketor, i dizenjuar për t’u përdorur në rajonin polar të Arktikut. Ndërkohë, Presidenti Putin, në fjalën e tij u shpreh se askush nuk do të mund të dominojë mbi popullin rus.
Në kuadër të Ditës së Fitores, e cila simbolizon mposhtjen e Gjermanisë Naziste nga ish-Bashkimi Sovjetik, Rusia ka zhvilluar paradën e përvitshme në sheshin e Kuq të Moskës, ndërsa ka ekspozuar në sytë e publikut pajisjet më të fundit ushtarake.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve ishte pikërisht sistemi mbrojtës anti-ajror, i cili është dizenjuar për t’u përdorur në temperatura nën zero në rajonin polar të Arktikut.
Sipas njohësve të kësaj fushe, Kremlini me lëvizjen e fundit ka treguar muskujt përballë rivalëve të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Norvegjisë, në një zonë e cila mendohet të ketë pasuri të shumta natyrore.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Presidenti i vendit, Vladimir Putin, i cili në fjalën e tij, shprehu ngushëllime për 20 milionë rusë që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sa i përket situatës aktuale, lideri i Kremlinit nënvizoi se Rusia nuk do të lejojë askënd që të dominojë mbi popullin e saj.
Dita e fitores është përkujtuar edhe nga separatistët pro-rusë në Donetsk të Ukrainës, pavarësisht tensioneve të shumta që ka në këtë rajon.
Edhe këtu, mbështetësit e idesë së shkëputjes së rajonit lindor të Ukrainës, kanë përkujtuar të rënët e luftës, ndërsa kanë nxjerrë në sytë e publikut artileri të rëndë ushtarake.