Kryeministri në largim dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot se kjo parti i ka dhënë shkollë PDK-së për mënyrën e qeverisjes.
“I kemi dhënë shkollë PDK-së dhe të tjerëve se si bëhet buxheti, si menaxhohet paraja publike. Ne ju kemi dhënë shkollë atyre (PDK-së) se si luftohet korrupsioni dhe si kryhet mandati pa asnjë anëtar të korruptuar”, ka thënë Mustafa.
Ai duke komentuar deklarimet e disave brenda partisë së Kadri Veselit se PDK-ja është akademi për partitë tjera, ka thënë se “PDK-ja mund të jetë akademi e tradhtive dhe akademi e ndërskamcave”.
Mustafa thotë se PDK-së i kanë thënë se është mirë të merren vesh në vjeshtë për zgjedhje, kur janë ato lokale, që të mos bëhen shpenzime të dyfishta.
“Kërkesa jonë ka qenë: tregoni se cili është qëndrimi juaj për mocionin; a do ta votoni mocionin a jo? Nëse doni ta votoni, pse të diskutojmë për Demarkacionin që vet e rrëzoni e ta merrni si shkas për mocionin. Ishte një kurth të cilin nuk e kemi pranuar”, ka thënë ai. /Telegrafi/