Opozita, kundër Demarkacionit dhe Asociacionit edhe pas zgjedhjeve

Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë dy çështje për të cilat partitë opozitare janë deklaruar se do të mbajnë qëndrim të njëjtë edhe pas zgjedhjeve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pret vendim nga Gjykata Kushtetuese për Asociacionin, kurse për Demarkacionin sheh një version të ri që do të përgatitet, ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” e ka të qartë se Asociacioni është antikushtetues, kurse për Demarkacionin ngjashëm si AAK-ja deklarojnë se kjo çështje mund të dalë në rishqyrtim në legjislaturën e re, por pasi të jetë ndryshuar.

Edhe “Nisma për Kosovën”, partia tjetër që në opozitë kundërshtoi po ashtu Demarkacionin dhe Asociacionin, e quan të panevojshme të ndërrojë qëndrim pavarësisht faktit se pretendojnë të jenë në mazhorancë pas zgjedhjeve, sërish humbja e hektarëve tokë do të jetë e papranueshme për këtë parti.  Zafir Berisha nga “Nisma për Kosovën” ka thënë se edhe pas zgjedhjeve do ta kenë qëndrimin e njëjtë për këto dy çështje.

“Fal këtij qëndrimi ne kemi shpëtuar 8300 hektarë që të mos i jepen Malit të Zi dhe kemi shpëtuar që të mos instalohet ‘Republika Srpska’ brenda shtetit të Kosovës”, ka thënë Berisha. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që ta ndryshojë “Nisma” qëndrimin e  saj. Përkundrazi, Berisha thotë se do të jenë mazhorancë dhe jo opozitë dhe këtë qëndrim ai e quan të palëkundur për ruajtjen e sovranitetit të vendit.

Demarkacioni interes shtetëror, jo i opozitës

Teuta Haxhiu nga AAK-ja ka thënë se kjo Qeveri ka rënë për shkak të të gjitha premtimeve të bëra dhe të pambajtura, e ku sipas Haxhiut hyjnë dhe dy marrëveshjet, ajo për Demarkacionin dhe Asociacionin. Haxhiu thotë për gazetën se pas zgjedhjeve AAK-ja do ta mbajë qëndrimin e saj që çfarëdo marrëveshje të mos pranohet nëse është në kundërshtim me interesin e qytetarit dhe të vendit.

”Pas zgjedhjeve sa u përket këtyre dy marrëveshjeve ne e kemi shumë të qartë, si para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve çështja e Asociacionit është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht ne jemi të obliguar ta respektojmë, cilado Qeveri qoftë, por jam e sigurt që do të jetë Qeveria e udhëhequr nga Aleanca”, ka thënë ajo. Haxhiu ka thënë se sa i përket Demarkacionit do të shihet që nuk është vetëm kauzë politike dhe që, sipas saj, nuk është vetëm kauzë që shumë herë është trumbetuar kah opozita.

“Por megjithëkëtë do të shohim që kjo duhet të kthehet në pikën zero, natyrisht me bisedime dhe uljen e të dyja shteteve, sepse mbi të gjitha asnjëherë as shteti fqinj nuk e ka kundërshtuar. Do të ulemi të flasim pikërisht që kufiri të mbetet aty ku ka qenë, sepse është interes shtetëror dhe jo vetëm interes i subjekteve politike dhe individëve”. Prandaj, qytetarët ajo thotë se kanë edhe çështje tjera që i preokupojnë gjatë kësaj kohe në fushat tjera si arsim, shëndetësi… “Do ta mbajmë të njëjtin qëndrim dhe jam e sigurt që do të vendoset në interes të qytetarëve, në interes të vendit për të gjitha”, ka thënë Haxhiu.

Opozita ruan pozicionin karshi Demarkacionit

Në kauzën e saj kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, lëvizja “Vetëvendosje” pat shprehur rezerva se mund të pritet vendim i favorshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Drejtuesit e këtij subjekti patën deklaruar se për këto dy çështje preferojnë të japë verdikt Komisioni i Venedikut, apo që secila çështje të nisë nga e para.

Zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti, ka thënë të enjten se të dyja marrëveshjet duhet të marrin fund.

“Kur flasim për ‘Zajednicën’, ajo është antikushtetuese dhe si e tillë nuk mund të ecë përpara, ndërsa sa i përket Demarkacionit, edhe kjo çështje ka marrë fund në shtator të vitit të kaluar, por Demarkacioni mund të vijë në Kuvend, duhet të ratifikohet vetëm atëherë kur të rishqyrtohet dhe si i rishqyrtuar të mos jetë i tillë që i humbet territor Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë kuptim ai thotë se VV-ja mendon që pas zgjedhjeve do të jetë një situatë e re.

“Besojmë që pas zgjedhjeve do të ketë dhe një qeverisje të re e cila sjell një marrëveshje të re të Demarkacionit, pra të tillë që e ruan shtetësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. Mendojmë që Qeveria e re nuk do të jetë e mundur t’i ketë dy parti që janë tash, prandaj besojmë që do të krijohen kushte të reja që i japin fund këtyre dy marrëveshjeve aktuale”.

Hoti ka thënë se prandaj Asociacioni është marrëveshje që nuk bën të kalojë për shkak se VV-ja, sipas tij, ka qëndrimin e qartë lidhur me të, siç shprehet ai, është një projeksion i Serbisë i cili e ndan Kosovën. “Është një tentim që të fillohet bosnjëzimi i Kosovës, siç ka ndodhur në Bosnje, prandaj është e pamundur që një projekt i tillë i Serbisë të lejohet”. Ai thotë se në versionin që Qeveria tentoi t’i kalojë këto marrëveshje në asnjë mënyrë nuk do të lejohet.

“Janë edhe kundër kushtetutshmërisë, por para se gjithash edhe janë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe minimizojnë shtetësinë e Kosovës, dhe këtë nuk mund ta lejojmë”, ka thënë ai për gazetën.

Për Demarkacionin dhe Asociacionin pas rrëzimit të Qeverisë është deklaruar për medie edhe anëtari i kryesisë së “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi. Ai ka thënë se me rrëzimin e Qeverisë është shpëtuar territori i Kosovës dhe ndarja e vendit. Sipas Selimit opozita e organizuar mirë ka arritur t’i ndalojë dy projekte të këqija, duke iu referuar Marrëveshjes për Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Këto dy projekte të këqija kemi arritur që t’i ndalim, por duke qenë e njëjta Qeveri e kemi pasur të qartë që këto projekte e kanë një gardian. Kështu që dje nuk patëm vetëm rënien e Qeverisë, por edhe rënien e Demarkacionit dhe ‘Zajendicës’” ka thënë Selimi.

Ndërsa, një deklaratë lidhur me Demarkacionin është lëshuar edhe nga PDK-ja, përderisa LDK-ja nuk ka folur fare për këtë çështje. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se vetëm dy deputetë nga kjo parti kanë qenë kundër Demarkacionit, duke lënë të nënkuptohet se kjo parti qëndron pro këtij procesi. /Zëri/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme