Në një bashkëbisedim të zhvilluar me gazetarët, zyrtari i DASH-it, Brian Hoyt Yee ka deklaruar se, vetëpërjashtimi i PD nga zgjedhjet do të jetë e dëmshme për vendin.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin paketën “McAllister” dhe do të ishte në pëlqimin e saj sikur palët të gjenin një marrëveshje mbi këtë paketë”, ka thënë Yee.
Për herë të parë, Yee ka thënë se SHBA japin siguri se kryeministri Rama nuk ka një synim për të kapur zgjedhjet dhe se ata besojnë tek standardet zgjedhore.
“SHBA janë gati të mbështesin palët për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe pa opozitën ato do të konsiderohen legjitime e po ashtu edhe reforma në drejtësi, pa votat e opozitës”, ka thënë Yee, raporton Tch.
Yee u shpreh optimist për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, pasi siç tha zyrtari i lartë amerikan, koha nuk pret.
“Kemi shpresë se do të ketë një zgjidhje dhe palët duhet të dialogojnë pasi nuk ka shumë kohë në dispozicion”, deklaroi ai.
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit u pyet edhe për ndikimin rus në rajon. “Ndikimi rus favorizohet nga mungesa e funksionimit të ligjit dhe të institucioneve”, vlerësoi ai.