Deputetëve u hiqen privilegjet

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit kanë mbajtur dje mbledhje, me ç’rast kanë përmbyllur mandatin e deputetëve të legjislaturës së pestë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në këtë mbledhje u vendos që deputetëve t’u hiqen privilegjet që kishin, ku përfshiheshin heqja e shpenzimeve për mbushjet e telefonit, për udhëtimet zyrtare, etj.
Përderisa kryeparlamentari Kadri Veseli vlerësoi se në Kuvend ka pasur momente të vështira, përfaqësues të opozitës konsideruan se kjo legjislaturë ka qenë ajo e cila e ka kryer punën më së pari. Sipas tyre opozita ka pasur një numër tejet të vogël të numrave, megjithatë ka kryer punë të madhe.

 

Veseli pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë ka shprehur dëshirën që sa më shumë gra dhe të rinj të bëhen pjesë e legjislaturës së ardhshme.

“Do të dëshiroja në të ardhmen të shihja në Parlament më shumë gra dhe të rinj, në të njëjtën kohë do të dëshiroja të shihja në Parlament deputetë që kanë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë”, është shprehur kryeparlamentari në largim.

Ndërkaq deputetja e “Vetëvendosjes”, Aida Dërguti, pas mbledhjes së kryesisë tha se kjo mbledhje ka përfunduar mandatin e deputetëve, duke ua hequr disa privilegje që kishin.

“Siç e dini në fund të mandatit bëhet gjithmonë një mbledhje e kryesisë, e cila përmbyll mandatin e deputetëve duke i hequr disa nga shpenzimet që normalisht i kanë deputetët, siç janë shpenzimet për mbushje të telefonit, anulimin e udhëtimeve zyrtare dhe veprime të tjera të ngjashme që kanë të bëjnë me shpenzimet e mëhershme”, ka deklaruar ajo.

Sipas Dërgutit, në këtë mbledhje nuk ka pasur diçka të veçantë.

Ajo më tej ka vlerësuar se gjatë kësaj legjislature ka pasur një opozitë me shumë pak numra, por shumë aktive.

“Për mendimin tim kemi pasur një Kuvend që ka kryer punën e vet më mirë se çdo legjislaturë tjetër, kemi pasur një opozitë me numra të paktë, por që ka pasur një rol në pengimin e marrjes së vendimeve të cilat janë të dëmshme për interesat e vendit. Pra, nuk ka qenë asnjëherë më e vogël opozita dhe më e dëmshme se në këtë legjislaturë”, ka potencuar ajo, duke shtuar se opozita ka penguar dy vendime të cilat, siç ajo është shprehur, janë në dëm të interesit të vendit.

Ndërkohë ka bërë të ditur se opozita nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë ndryshuar nga qëndrimet e tyre, kemi thënë që opozita nuk është kundër zgjidhjes së Demarkacionit, por aktualisht është kundër kësaj Marrëveshjeje që kemi, e cila është e padrejtë. Ajo që kemi insistuar ne është rishqyrtimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, kthimi në pikën zero”, është shprehur Dërguti./ZERI/.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme