Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë për Ekonomia Online se koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka qenë i pritshëm, duke thënë “kur është në pyetje pushteti këto parti i harrojnë të gjitha”.
Beqiri e ka pranuar se në Kosovë mund të ndodhë gjithçka dhe se për pushtet partitë politike i shkelin të gjitha parimet.
“Për ne është e rëndësishme koalicioni që ne e kem lidh kemi bërë një koalicion mjaft parimor i cili është edhe koalicion i përputhjes së programeve edhe i mundësive për qytetarët tonë. Ndërkaq për koalicionin tjetër nuk do të doja fare me komentua sepse ai koalicion të them në një mënyrë ka qenë i pritshëm pavarësisht zhurmës madhe dhe fjalëve të mëdha, sulmeve njëri kundër tjetrit por u pa qartë se kur është në pyetje pushteti i harrojnë të gjitha”, ka thënë ai.
“Çdo gjë te ne është e mundshme edhe atje ku duket e pamundshme edhe mes partnerëve potencialë që për shumë çka sipas tyre nuk përputhen por kjo mbrëmë që ndodhi u pa qe kur është në pyetje interesi, pushteti unë jam i vetëdijshëm qe çdo subjekt politik lufton për të marrë pushtetin, por disa megjithatë nuk zgjedhin mjete, nuk zgjedhin kundërshtarë për ta bërë këtë”, ka thënë Beqiri.
Beqiri madje shprehet i bindur se ky “skenar” i tri partive që tashmë kanë hyrë në koalicionin parazgjedhor, ka qenë i përgatitur më herët dhe se për këtë PDK-ja edhe e ka mbështetur mocionin e opozitës.
Ndryshe, koalicioni parazgjedhor PDK-LDK-AAK u arrit mbrëmë, ndërsa Ramush Haradinaj është i nominuari i këtij koalicioni për kryeministër. Gjatë ditës së djeshme edhe LDK-ja arriti marrëveshje për koalicion parazgjedhor me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi.