Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë se deklarimet e ambasadorëve perëndimorë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së paraqesin nisjen e fushatës për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
“Ky është tentim që problemi i Kosmetit të hiqet nga OKB, dhe që ai problem, siç ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe (Matthew Rycroft), të spostohet në Bruksel. Do të kemi fushatë të fuqishme dhe presione që Kosova deri në fund të vitit të bëhet anëtare e UNESCO-s”, ka thënë Drecun për radiotelevizionin e Serbisë, transmeton Koha.net.
Ai ka vlerësuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së do të provojnë të pozicionohen në të gjitha funksionet e ekzekutivit, “pasi që kjo do të jetë mënyrë për t’u mbrojtur nga gjykata e ardhshme për UÇK-në [Gjykata Speciale], dhe në këtë mënyrë ta vënë Gjykatën në pozitë delikate duke mos mundur të ngre aktakuza”.
© KOHA