Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Azem Vllasi, ka thënë se politikanët dhe mediat në Serbi po i kushtojnë shumë vëmendje ish-komandantit të UÇK-së dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaratat e të cilit, siç ka thënë Vllasi, shërbejnë për politika ditore para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, Vllasi ka thënë se retorika e përdorur nga Haradinaj shërben për të nervozuar zyrtarët dhe qytetarët e Serbisë.
“Haradinaj është lider i një partie opozitare e cila në zgjedhjet e kaluara ka qenë e katërta dhe ai kurrë më parë s’ka dhënë deklarata të tilla. Megjithatë, tani ka të drejtë të jetë i zemëruar në shtetin tuaj, sepse ai veçse është liruar nga gjykata e Hagës, ndërsa Serbia atëherë e ka pasur rastin të paraqes të gjitha dëshmitë që i ka kundër tij, ndërsa tani papritmas na dolën disa të reja”, ka thënë Vllasi, transmeton Koha.net.
I pyetur për deklaratën e Haradinajt se shqiptarët vetë mund të kryejnë punë nëse Brukseli dhe Washingtoni nuk zgjidhin çështjen mes Kosovës e Serbisë, Vllasi ka thënë se në Kushtetutën e Kosovës shkruan se “Kosova nuk ka të drejtë t’i bashkëngjitet ndonjë shteti tjetër e as t’i aneksojë territore tjera vetes”.
“Askush tek ju nuk e di se në Kushtetutën tonë shkuan kështu dhe për këtë arsye ekziston e tërë fama rreth deklaratave të cilat janë për shfrytëzim politikash ditore. Ato deklarata shërbejnë për politika ditore edhe tek zyrtarët e shtetit tuaj. Për këtë, nuk dua të komentoj deklarata të tilla, as të Ramushit, as të Vuçiqit, e as që kam mendim të tillë për këtë çështje”, ka deklaruar Vllasi.
© KOHA